Nga Valon Rashiti
Rasti ynë tregon se ajo nuk nis në sallën e gjyqit. Nis me një sajesë.
Veç kujtojeni zanafillën e krejt këtij teatri.
Kujtojini titujt bombastikë të vitit 2010. Raporti i Dick Martyt. Kosova, UÇK-ja dhe storiet e fabrikuara me trafikim për “trafikim organesh” pushtuan titujt botërorë. Na thanë se bota demokratike nuk munet me i mbyllë sytë para atij tmerri.
Një trillim nga zhanri fanta-shkencë.
Na detyrun me ndryshu Kushtetutën tonë, të formonim një gjykatë speciale me një premtim të vetëm: zbardhjen e atyre akuzave të pista.
E sot? Bëjeni pyetjen ma themelore: ku mbetën ato akuza?
Janë avullu. Asnjë rresht i aktakuzës nuk merret me to.
Në rrethana normale, kur themeli i një ndërtese është i rremë, atëherë ndërtesa shembet.
Por jo në Hagë.
Aty, kur gënjeshtra u rrëzu, nuk pat kërkimfalje.
Thjesht u ndryshun rregullat e lojës. U ngrit një aparat gjigant juridik, me buxhet qindra-milionësh, për ta bërë atë që as Millosheviçi nuk e bëri dot: ta rishkruajë historinë duke e kthy viktimën në agresor.
E vërteta është e thjeshtë: Kosova nuk nisi luftë pushtuese. Kosova nuk dërgoi tanke në Beograd.
Mijëra ushtarë tanë nuk kishin as uniforma ushtarake. Shihni ekspozitat me fotografi të luftës: Me farmerka, trenerka, me patika të thjeshta. Harroni artilerinë. Ata nuk kishin as armë dore mirëfilli. Ishin me armë të dobëta e shpesh të ndryshkta.
Përballë shfarosjes, shqiptarët nuk është se kishin shumë mundësi tjera.
Megjithatë, shihni çfarë po ndodh në Hagë.
Kush ka ndjekur seancat, nuk ka pa drejtësi të paanshme.
Shihni një trup gjykues që vazhdimisht mban anën e prokurorisë dhe rrëzon kërkesat e mbrojtjes. Shihni dëshmitarë të fsheht, mijëra faqe të redaktume me bojë të zezë, dhe një mori shkeljesh flagrante të të drejtave të të pandehurve.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbahen prej vitesh të izolum në paraburgim. Prezumimi i pafajësisë, si e drejtë për të cilën njerëzimi derdhi shumë gjak në revolucionet e njëpasnjëshme, është përjashtu moti nga procesi.
Nëse një gjykatë vendore e kish trajtu kështu çdo të pandehur, organizatat ndërkombëtare do ta quanin proces politik. Por kur e bën një entitet ndërkombëtar, na kërkohet ta quajmë “proces të komplikum dhe unik gjyqësor”.
Ndërkohë, në Serbi Kasapët e Ballkanit si Ratko Mlladiq nderohen me emra bulevardesh dhe varrosen me nderimet më të larta.
Ata dojnë me na e vjedhë tregimin. Duan t’u mësojnë fëmijëve tanë se liria jonë ishte krim, e jo e drejtë.
Në ndërkohë, më 16 shtator, kur gjykata të japë vendimin e saj, ne do ta marrim përgjigjen: a triumfojnë faktet, apo pazaret e pista gjeopolitike?!
Sidoqoftë, për shumë kosovarët data 16 shtator nuk do të jetë thjesht datë e zakonshme.
Në fjalimin e tij në Marshin e Lirisë, Kryetari i PDK-së tha se “Nuk do të rrimë të heshtur në rast të padrejtësisë”.
A ishte ky paralajmërim apo kërcënim për ndonjë tension apo trazirë të mundshme pas vendimit?
Duket që dënimi i krerëve të UÇK-së për PDK-në dhe për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve është është vijë e kuqe që nuk bën të shkelet.