Shënjestra e Trumpit ka emër: Raúl Castro

Dy avionë nga Miami u rrëzuan nga Kuba në 1996 dhe sot SHBA vë në shënjestër ish-liderin, vëllain e Fidel Castros

Më 24 shkurt 1996, mbi ujërat e ngushticës së Floridës, deti ishte i kthjellët dhe i qetë . Nga aeroporti Opa-locka në Miami u ngritën dy avionë të vegjël Cessna, me drejtim jugun. Në bord ndodheshin katër anëtarë të organizatës “Hermanos al Rescate”: Armando Alejandre Jr., Carlos Costa, Mario de la Peña dhe Pablo Morales. Pak pas orës tre të pasdites, dy avionëve luftarakë Mig-29 dhe Mig-23 të aviacionit kuban i’u ndërpre fluturimi. Brenda pak minutash, dy raketa ajër-ajër goditën avionët, të cilët u rrëzuan në det, duke shkaktuar humbjen e menjëhershme të jetës së katër personave në bord.

RRËZIMI I AVIONËVE

Në Miami, ngjarja njihet thjesht si “çështja”, rasti që u kthye në simbolin më të fortë të përballjes me regjimin kuban. Që atëherë, ajo është shndërruar në një nga debatet më të ashpra dhe më simbolike në marrëdhëniet mes Kubës dhe Shteteve të Bashkuara. Me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Marco Rubio në Departamentin e Shtetit dhe me krizën kubane të thelluar deri në kufijtë e kolapsit, dosja “Hermanos al Rescate” është rikthyer sërish nga arkivat e Luftës së Ftohtë, duke u përdorur edhe në diskutimet për ish-liderin 94-vjeçar Raúl Castro.

DY VERSIONET E NGJARJES

Sipas Uashingtonit, bëhej fjalë për rrëzimin e paligjshëm të dy avionëve civilë të paarmatosur në ujëra ndërkombëtare. Hetimet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, të Komisionit Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut dhe të disa agjencive amerikane arritën në përfundimin se Cessna-t u goditën jashtë hapësirës ajrore kubane. Shtetet e Bashkuara theksuan se nuk ekzistonte asnjë kërcënim ushtarak i menjëhershëm dhe se veprimi i Kubës përbënte shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare.

Qeveria kubane paraqiti një version krejtësisht të ndryshëm. Havana deklaroi se “Hermanos al Rescate” nuk ishte një organizatë thjesht humanitare, por një grup politik armiqësor, i lidhur me mërgatën antikastriste në Miami dhe, sipas saj, edhe me CIA-n. Sipas autoriteteve kubane, grupi kishte kryer më herët provokime të përsëritura, duke fluturuar mbi Havana dhe duke hedhur fletushka kundër Fidel Castro-s, duke shkelur sovranitetin e vendit. Sipas versionit të Kubës, më 24 shkurt avionët po hynin sërish në hapësirën ajrore të ishullit.

Fidel Castro e mbrojti publikisht operacionin si akt vetëmbrojtjeje. Ndërkohë, Raúl Castro, atëherë ministër i Forcave të Armatosura Revolucionare, u përmend nga Shtetet e Bashkuara si një nga përgjegjësit politikë dhe ushtarakë të operacionit. Regjistrimet radiofonike të publikuara në vitet pasuese zbuluan momentin e interceptimit, ku dëgjohen komunikimet mes pilotëve kubanë dhe urdhri për hapjen e zjarrit. Kuba ka këmbëngulur gjithmonë se avionët vepruan në mbrojtje të territorit kombëtar, ndërsa Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë duke thënë se të dhënat radarike provojnë se avionët ndodheshin jashtë hapësirës ajrore kubane.

PASOJAT E NGJARJES

Ngjarja pati pasoja të menjëhershme politike dhe diplomatike. Vetëm pak ditë më vonë, presidenti Bill Clinton nënshkroi ligjin Helms-Burton, i cili ashpërsoi embargon ndaj Kubës dhe e ktheu atë në një strukturë të përhershme të miratuar nga Kongresi amerikan. Që atëherë, çështja “Hermanos al Rescate” ka mbetur një plagë e hapur, veçanërisht për komunitetin kubano-amerikan në Florida. Në vitin 2001, një gjykatë federale në Miami ngriti akuza ndaj dy gjeneralëve kubanë, të dyshuar si urdhërues të rrëzimit të avionëve. Kuba e hodhi poshtë procesin duke e cilësuar politik. Për shumë vite, emri i Raúl Castro-s ka mbetur në periferi të akuzave formale, ndonëse është përmendur vazhdimisht në debatet politike dhe në kërkesat e familjeve të viktimave.

Sot, gati tre dekada më vonë, çështja është rikthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Vendimi për të ngritur akuza ndaj Raúl Castro-s vjen në një moment tensionesh të thella mes Uashingtonit dhe Havanës, mes sanksioneve të reja ekonomike, krizës së rëndë në ishull dhe përplasjeve të vazhdueshme diplomatike. Për Shtetet e Bashkuara, nuk bëhet fjalë vetëm për mbylljen e një çështjeje të vitit 1996, por për një precedent që lidhet me strategji më të gjera gjeopolitike. Rasti është rikthyer në debatet politike edhe si pjesë e një historie më të gjatë përplasjeje mes dy vendeve, duke e mbajtur çështjen “Hermanos al Rescate” ende të hapur në skenën ndërkombëtare. (La Repubblica)

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo