Aliu: Xhamia e Ibrit, nga rrënimi te rikthimi i një historie që nuk duhet harruar

Bashkim Aliu

Kohë pas kohe, si në Kosovë ashtu edhe në hapësirat e tjera të trojeve etnike shqiptare, hapen tema që nxisin debate dhe polemika të shumta, si në rrjetet sociale ashtu edhe në platforma të tjera mediatike. Edhe kësaj radhe, nënshkrimi i marrëveshjes më 2 maj për hartimin dhe zbatimin e projektit të rindërtimit të Xhamisë së Ibrit, e ndërtuar më 1777 dhe e djegur më 2 maj 1999, i ka vënë në lëvizje shumë palë, të cilat reagojnë sikur me këtë marrëveshje qenka rrezikuar shteti laik. Por këtu, detyrimisht, shtrohet një pyetje: A thua vërtet po rrezikohet laicizmi, apo po preket diçka tjetër? Unë mendoj se pjesës më të madhe të kundërshtuesve nuk u shqetëson rrezikimi i laicizmit; megjithatë, nuk përjashtohet që disa, ndonëse të paktë në numër, mund të jenë realisht të shqetësuar për këtë çështje.
Rindërtimi i xhamisë së rrënuar nga pushteti agresor serb pranë lumit Ibër në Kosovë duhet parë si një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare që është dëmtuar gjatë konflikteve të kaluara. Xhamia nuk është thjesht një objekt, por një vend identiteti, përkatësie dhe komuniteti. Rindërtimi i saj mund të përfaqësojë një formë të drejtësisë simbolike dhe rikuperimit shpirtëror për ata që e kanë humbur atë, ndonëse vjen në një kohë kur janë shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.
Nga aspekti i të drejtave të njeriut, rindërtimi i Xhamisë së Ibrit është ushtrim i një të drejte themelore – lirisë fetare. Në një shoqëri demokratike, komunitetet kanë të drejtë ta praktikojnë besimin e tyre dhe të rindërtojnë objektet e tyre fetare, veçanërisht kur ato janë shkatërruar padrejtësisht. Në rastin e Xhamisë së Ibrit, kjo çështje shkon përtej ushtrimit të lirisë fetare, pasi lidhet me historinë e vuajtjeve dhe dhimbjeve të këtij populli, jo vetëm me gjenocidin e pushtetit agresor serb ndaj shqiptarëve, por edhe me sakralocidin dhe kulturocidin. Jo vetëm njerëzit, por edhe objektet që dëshmojnë historinë, lashtësinë, identitetin dhe harmoninë fetare, kanë qenë cak i shkatërrimit.
Rindërtimi i xhamisë së rrënuar pranë lumit Ibër nuk është vetëm kontribut për të drejtat fetare të komunitetit mysliman, por edhe për ruajtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore të Kosovës, duke përbërë një pasuri për të gjithë popullin shqiptar në Kosovë. Objektet fetare janë pjesë e identitetit kolektiv dhe dëshmi e historisë së një vendi. Duke i rikthyer ato, ruhet kujtesa historike dhe forcohet lidhja mes brezave. Në rastin e Xhamisë së Ibrit, rindërtimi i saj e rikthen në vëmendje gjenocidin dhe kulturocidin serb në Kosovë, duke e vendosur Serbinë, në sytë e opinionit ndërkombëtar dhe në histori, në pozitën e merituar të agresorit që ka kryer jo vetëm gjenocid, por edhe kulturocid. Kjo është e kuptueshme, por mbetet shqetësuese fakti se edhe disa shqipfolës e kundërshtojnë këtë, pasi duket se nuk u pëlqen të pranohet se pushteti i Millosheviqit ka shkatërruar edhe xhami.
Ka çështje që janë të përbashkëta në memorien tonë kolektive si shqiptarë dhe duhet të mbështeten pa dallim feje. Kjo vlen edhe për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, pasi përmes saj rikthehet në kujtesë jo vetëm gjenocidi, por edhe kulturocidi që pushteti serb ka ushtruar në Kosovë. Është e vërtetë se projekti i rindërtimit vjen në një moment të ndjeshëm, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen më 7.06.2026, gjë që ka shkaktuar kundërshtime dhe është cilësuar nga disa si projekt për përfitime politike, pjesë e fushatës parazgjedhore. Mirëpo, këtu shtrohet pyetja: nëse ndërtimi përdoret politikisht për vota, gjë që nuk përjashtohet kur janë në pyetje politikanët, a nuk mund të ketë të njëjtin motiv edhe kundërshtimi nga palët e tjera? Përjashtim mund të bëjnë disa individë, si p.sh. avokat i sotëm dhe në të njejtën kohë ish-gjykatës në sistemin e ish-Jugosllavisë, i cili mund të ketë edhe motive fetare në kundërshtimin e tij.
Për këtë mund të diskutohet gjatë, por kundërshtimi i rindërtimit për këto motive do të thotë të lihet e parealizuar një e drejtë dhe të mbetet i papërfunduar rikthimi i një monumenti të rëndësishëm që pasqyron historinë e vuajtjeve të popullit shqiptar. Edhe më problematike është kur ky projekt cilësohet si pjesë e një tendence për rritjen e “islamizmit politik”, apo si një sinjal që shteti po afrohet me një identitet të caktuar fetar, në vend që të ruajë neutralitetin kushtetues. Por një qasje e tillë harron se edhe shtetet laike kanë detyrime ndaj qytetarëve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, gjë që nuk nënkupton përkrahje apo privilegjim të një feje të caktuar.
Ky është realiteti: duhet rindërtuar ajo që është shkatërruar nga agresori. Në këtë rast, agresori ka shkatërruar xhami. Prandaj lind pyetja: kush po e instrumentalizon xhaminë, ata që e rindërtojnë apo ata që e kundërshtojnë? Kush po e politizon fenë: ata që rikthejnë një të drejtë të mohuar, qoftë edhe në kohë parazgjedhore, apo ata që kundërshtojnë rindërtimin e një objekti fetar?
Në fakt, të gjitha forcat politike kanë pasur kohë ta rindërtojnë këtë monument që ruan historinë e vuajtjeve të këtij populli.
Në vend të kundërshtimeve dhe etiketimeve që burojnë nga një gjuhë përçarëse, projekte të tilla duhet të shoqërohen me dialog dhe mirëkuptim ndërmjet përfaqësuesve të ndryshëm politikë, fetarë dhe kulturorë, në mënyrë që të shmangen tensionet dhe të promovohet bashkëjetesa paqësore. Në këtë mënyrë, rindërtimi i xhamisë nuk do të jetë burim përçarjeje, por një mundësi për reflektim, pajtim dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për të gjithë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo