Deri tani asgjë nga premtimi parazgjedhor i kreut të Strugës Mendi Qyra për zgjidhjen e problemit me parkingjet





Derisa autoritetet lokale paralajmërojnë çmime të reja më të larta për parkimin në Strugë, deri tani nuk ka asgjë konkrete për premtimet parazgjedhore të kreut të Strugës Mendi Qyra për zgjidhjen e problemit me parkingjet. Qytetarët nuk janë shumë optimistë se gjërat do të realizohen.

“Lëri parkingjet, nuk ka asgjë, çfarë parkingjesh, duhet të kesh para, cilat parkingje. Nëpër fshatra gjithë verën njerëzit nuk kanë as një pikë ujë, u dogjën, turp është,” tha një qytetar.

“Parkingjet janë të domosdoshme sepse qytetarët i lënë veturat në hapësira publike, në rrugë dhe ngjashëm. Organizimi i automjeteve në parkingje e lehtëson lëvizjen dhe e liron hapësirën publike për qytetarët,” tha një tjetër qytetar.

Në fushatë Qyra kishte premtuar se ekziston një projekt i përgatitur me të cilin, përmes sistemit GPS, qytetarët do të mund të rezervonin paraprakisht vend parkim. Por tre muaj më parë Qyra tha se një projekt kaq i madh nuk mund të realizohet në kohë të shkurtër.

“Është e sigurt që brenda tre muajve nuk mund t’i realizojmë projektet për parkingjet në Strugë. Po punojmë në pjesën e studimit të fizibilitetit, që është kusht për realizimin e këtyre parkingjeve dhe për bashkëpunim me kompani publike-private. Besoj se këto projekte të propozuara do të realizohen, por sigurisht nevojitet kohë, sepse ka procedura dhe detyrime që duhet të respektohen,” deklaroi Mendi Qyra – kryetar i Strugës.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo