Zelensky dënon zgjatjen e heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga SHBA-ja

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dënuar një vendim të SHBA-së për të zgjatur periudhën gjatë së cilës Rusisë i lejohet të shesë naftë pavarësisht sanksioneve perëndimore.

Ky veprim do të thotë se vendet mund të blejnë naftë ruse dhe produkte të naftës që tashmë janë ngarkuar në anije në det, deri më 16 maj.

SHBA-ja argumenton se ky lehtësim është menduar për të zbutur krizën e furnizimit me energji të shkaktuar nga lufta SHBA–Izrael kundër Iranit.

Por në deklaratat e tij të dielën, Zelensky ka thënë se “çdo dollar i paguar për naftën ruse është para për luftën” në Ukrainë.

Sanksione të gjera janë vendosur ndaj Rusisë që kur presidenti Vladimir Putin nisi pushtimin e plotë të fqinjit të saj në shkurt 2022.

Sulmet shkatërruese të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit e kanë shtyrë Teheranin zyrtar të kundërpërgjigjet jo vetëm kundër Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane në Gjirin Persik, por edhe kundër objekteve energjetike dhe vendeve civile në vendet arabe aleate të SHBA-së në rajon.

Përveç kësaj, Irani ka mbyllur praktikisht Ngushticën e Hormuzit – kalimi i ngushtë përmes të cilit zakonisht transportohet rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë.

Kjo ka shkaktuar trazira në tregjet energjetike, me frikën se mund të pasojë një recesion global nëse ajo nuk rihapet së shpejti.

Vendimi i SHBA-së për të lehtësuar sanksionet ndaj Rusisë më 13 mars u dënua gjerësisht nga Zelensky, si dhe nga aleatët e tij evropianë.

Me vendimin e së premtes për të zgjatur këtë përjashtim, SHBA-ja ka thënë se dëshiron “të sigurojë që nafta të jetë e disponueshme për ata që kanë nevojë për të”, ndërsa negociatat për t’i dhënë fund luftës “po përshpejtohen”.

Mirëpo udhëheqësi ukrainas ka deklaruar se Rusia kishte më shumë se 110 tankerë nga “flota e saj në hije” – anije me pronësi të fshehur të krijuara për të shmangur sanksionet – me “mbi 12 milionë tonë” naftë.

Shitja e tyre, shtoi ai, do t’i sillte Moskës 10 miliardë dollarë, si “një burim që shndërrohet drejtpërdrejt në sulme të reja kundër Ukrainës”.

Lideri ukrainas nuk ka shpjeguar se mbi çfarë bazoheshin këto shifra.

Por ai ka shtuar se vetëm gjatë javës së kaluar, Rusia kishte lëshuar “mbi 2,360 dronë sulmues, më shumë se 1,320 bomba ajrore të drejtuara dhe gati 60 raketa të llojeve të ndryshme kundër qyteteve dhe komuniteteve tona”.

Kjo përfshinte sulmin më vdekjeprurës kundër Ukrainës në muajt e fundit më 15 prill, gjatë të cilit u përdorën më shumë se 700 dronë dhe raketa në disa valë brenda një nate, duke vrarë të paktën 18 persona.

Ukraina ka sulmuar gjithashtu Rusinë, duke u fokusuar veçanërisht në objektet energjetike.

Përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës janë vënë në pritje si rezultat i luftës në Iran.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo