FISHEKZJARRET SHKRUMBOJNË FABRIKËN! Shpërthimi ndodhi në një fabrikë fishekzjarrësh në Indi, 25 viktima
Një shpërthim i një fabrikë fishekzjarrësh në shtetin jugor indian të Tamil Nadu ka shkaktuar të paktën 25 viktima dhe disa të plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje në fabrikën Vanaja FireWorks Industry në zonën e Virudhunagar.
Sipas autoriteteve lokale, fabrika duhej të ishte e mbyllur atë ditë, por rreth 50 punëtorë ndodheshin brenda ambienteve kur ndodhi shpërthimi.
Raportet fillestare tregojnë se zjarri shpërtheu në një verandë ku punonin rreth 25 persona, duke u përhapur me shpejtësi dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në të paktën tre dhoma.
Forca e shpërthimit ishte aq e madhe sa pjesë të ndërtesës u shkatërruan plotësisht, ndërsa disa trupa u dogjën deri në atë masë sa identifikimi i tyre u bë shumë i vështirë.
Gjatë operacioneve të shpëtimit ndodhi edhe një shpërthim i dytë, i cili plagosi 13 persona të tjerë.
Ekipet e emergjencës hasën vështirësi të mëdha, pasi fishekzjarrët brenda fabrikës vazhdonin të shpërthenin.
Autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e shpërthimit dhe për të verifikuar nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë.
Një ankesë është ngritur kundër pronarit dhe përgjegjësit të fabrikës, të cilët aktualisht janë në arrati. Katër ekipe speciale policie janë angazhuar për kapjen e tyre.
Aksidentet në industrinë e fishekzjarrëve në Indi janë relativisht të shpeshta, për shkak të kërkesës së lartë për festa, dasma dhe festivale, si dhe problemeve të vazhdueshme me sigurinë në punë.
Kryeministri Narendra Modi e quajti ngjarjen tronditëse dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.