Irani është gati të hakmerret kundër Izraelit. Ekspertët amerikanë besojnë se Teherani është duke studiuar mundësitë se ku do të godasë.
Media e njohur amerikane, New York Times thekson se Irani mund të ndërmarrë një sulm ndaj një ambasade izraelite në një vend të tretë si hakmarrje për vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh.
Ish-kreu i Komandës Qendrore të SHBA, gjenerali në pension Frank McKenzie, thekson për New York Times, se Teherani do të “kishte frikë” dhe nuk do të kishte dashur të shkaktonte përfshirje të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara.
Prandaj, republika islamike ka të ngjarë të godasë “një objektiv të butë”, siç është një ambasadë apo objekt tjetër izraelit në Evropë, Afrikë apo Amerikën e Jugut, tha shtoi ish gjenerali amerikan për New York Times. Penatgoni është i bindur se Irani gjithashtu mund të inkurajojë Hezbollahun në Liban për të kryer sulme me raketa brenda territorit izraelit. Gjenerali amerikan Patrick Ryder në një konferencë për mediat theksoi se SHBA është e vendosur për të mos lejuar një përhapje të konfliktit në rajonin e Lindjes së Mesme, transmeton televizioni a2cnn.
“Ajo çfarë patë gjatë fundjavës, sigurisht, ishte një sulm i përmasave më të gjera se ato që kemi parë më herët. Por është në vendosmërinë tonë që të mos ketë një konflikt më të gjerë në këtë fazë në rajon. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të fokusuar në përshkallëzimin e tensioneve në rajon dhe të parandalojmë që ky konflikt të përhapet më shumë në rajon”, tha Patrick Ryder, Majo Gjeneral i SHBA.
Sakaq, Izraeli ka kryer një sërë sulmesh në Bregun Perëndimor duke lënë dhjetëra të vdekur dhe shumë të plagosur. Si reagim SHBA ka njoftuar sanksione të reja kundër kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor për shkak të dhunës kundër palestinezëve, duke i kërkuar aleatit të saj Izraelit që të mbajë më shumë përgjegjësi.
“Dhuna e kolonëve ekstremistë në Bregun Perëndimor shkakton vuajtje intensive njerëzore, dëmton sigurinë e Izraelit dhe minon perspektivat për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, duke shtuar se është “kritike” që Izraeli të mbajë përgjegjësinë e tyre, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë në Rripin e Gazës, kreu i Hamasit, Yahya Sinwar, raportohet se është rrethuar me 22 pengje izraelitë, të gjallë dhe të prangosur, dhe po i përdor ata në tunele si mburoja njerëzore për t’u mbrojtur nga një sulm i Izraelit. Këtë e raporton media izraelite The Jewish Chronicle, duke cituar burime të inteligjencës.