Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këndej, Perëndimi ka pasur ndaj Serbisë një qasje të gabuar. Fuqitë e Mëdha perëndimore shpesh e zbatojnë politikën e kulaçit dhe e kërbaçit apo e shkopit dhe e karotës. Por në rastin e qëndrimit hegjemonist dhe ekspansionist të Serbisë ndaj Kosovës, kjo nuk ndodhi. Fuqitë perëndimore, jo vetën që nuk ndoqën ndaj Serbisë politikë të kulaçit dhe të kërbaçit, por edhe e ledhatuan atë, e përkëdhelën. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot, Fuqitë perëndimore investuan në Serbi miliarda euro dhe dollarë. Në ndërmarrjet perëndimore të ngritura në Serbi, u punësuan mbi njëqind mijë serbë.
Serbia, në një anë mbështetej nga Rusia e Putunit, nga Kina dhe nga vende të tjera, ndërsa në anën tjetër ajo mbështetej ekonomikisht edhe nga Fuqitë perëndimore, d.m.th. nga Gjermania, nga ShBA-ja, nga Franca, nga Austria etj.
Nga Moska dhe Pekini, Serbia mbështetej politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, ndërsa nga Perëndimi – ekonomikisht. Sot kemi një situatë kur ajo mbështetet nga perëndimorët, jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht, për të mos thënë edhe ushtarakisht.
Qëndrimi i ShBA-së ndaj Serbisë ka pësuar një salto mortale, një kthesë të pabesueshme.
* * *
Agresionin rus ndaj Ukrainës, shqiptarët e dënuan në shkallë kombi. Pushtimin rus të Ukrainës, Kosova e dënoi në mënyrë të prerë, duke i vënë Moskës edhe sanksione. Por plani franko-gjerman, i mbështetur nga Uashingtoni, dëshmon se qëndrimi i Kosovës ndaj agresionit rus në Ukrainë, nuk u vlerësua fare. Madje, Uashingtoni, Parisi dhe Berlini mbajnë anën e Beogradit, ndonëse serbët ishin dhe mbeten të vetmit në Evropë që nuk i vënë sanksione Rusisë. Çfarë paradoksi?! Kjo politikë joparimore e Fuqive perëndimore e befasoi tërë kombin shqiptar.
Për të treguar se janë me shqiptarët, perëndimorët e afirmojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Por plani franko-gjerman tregon se perëndimorët nuk qenkëshin me Kosovën. Shqiptarëve nuk u duhet afirmimi i Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar, në një kohë kur perëndimorët, me themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, cenojnë tërësinë tokësore të kombit shqiptar.
E ashtuquajtura bashkësi e komunave me shumicë serbe apo zajednica, nuk është asgjë tjetër pos dodik republikë, asgjë tjetër pos shtet brenda shtetit. Sapo të themelohet dodik republika, serbët do ta formojnë edhe ushtrinë e këtij shteti brenda shteti. Sakaq, do të shkaktojnë edhe pretekste për ta shkëputur nga Kosova dhe për t’ia bashkëngjitur Serbisë. Para ndodhive të tilla Uashingtoni, Parisi dhe Berlini do t’i mbyllin sytë.
Asociacioni, zajednica, dodik republika, d.m.th. shteti brenda shtetit, do të jetë përmbi Kosovën, do të jetë më i favorizuar se Kosova vetë. Shteti brenda shtetit do t’i parandalojë edhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, do t’i pengojë kontaktet dhe marrëveshjet.
Sot në veri ndodhet përmendorja e princit mesjetar serb, “car” Llazarit (Lazar Hrebеljanović / Лазар Хребељановић, 1329-1389). Nesër do të ngrihet edhe ajo e Sllobodan Millosheviqit, e Vojisllav Sheshelit. dhe e dishepullit të tyre – Aleksandar Vuçiqit.
Angazhimi i ShBA-së për themelimin e zajednicës, e dodik republikës, d.m.th. e shtetit brenda shtetit dëshmon se për Uashingtonin Serbia paraqitka interes më të madh seç paraqitkan shqiptarët, d.m.th. interesi amerikan në Serbi qenkësh më i madh se te shqiptarët.
* * *
Qëkur u çlirua nga Kosova nga pushtuesit serbë në vitin 1999 e këndej, s’ka dyshim se e ashtuquajtura klasë politike shqiptare, ka bërë gabime. Gabime ka bërë edhe inteligjencia shqiptare. Ndryshe, zajednica, dodik republika apo shteti brenda shtetit nuk do të ishte në rend dite. Për gabime të këtij lloji paguhet çmim historik.
Në anën tjetër, politika dhe diplomacia serbe s’ka reshtur së punuari dhe së vepruari nëpër kancelaritë evropiane dhe në Uashington për t’i bërë për vete perëndimorët dhe për t’i denigruar dhe për t’i paraqitur shqiptarët si popull joperëndimor apo pseudo-perëndimor.
* * *
Gjithmonë kur Kosova vihet në krye të agjendës së Brukselit, në Tiranë shpërthejnë zënkat ndërpartiake. Nga kjo rezulton se shqiptarët nuk kanë të përkufizuar një kauzë kombëtare. Kauzat personale në Shqipëri të politikanëve të harxhuar, kanë dalë përmbi kauzat kombëtare. Kauzat personale të politikanëve të lodhur apo të politikanëve që ndodhen matanë interesit kombëtar, u shiten shqiptarëve si kauza kombëtare.
* * *
Aty ku e la Millosheviqi politikën serbomadhe, mu aty e vazhdoi po atë ideologji dhe politikë, pasardhësi i tij i devotshëm – Vuçiqi. Që atëherë, Serbia, në vend që të përjetonte katarzë dhe të merrte rrugën e demokratizimit, ajo u ndal dhe mbeti aty ku ishte, në vitet ’90 të shekullit XX. Që atëherë, ora e Vuçiqit ka punuar dhe vazhdon të punojë me atë të kohës së kasapit të Ballkanit. Zjarrvënësin e gadishullit, perëndimorët e ndëshkuan, ndërkaq birin shpirtëror të Sheshelit, e mbështesin me të madhe. Ç’farë paradoksi?! Paradoks, por jo si ai i filozofit grek Diogjenit (Diogjeni, nga Sinopa, rreth viti 400 deri në vitin 323 para K.).
Uashingtoni, Berlini dhe Parisi mbështesin politikën klerofashiste të Serbisë. Kjo s’i bën nder Perëndimit. Ka parime në politikën e perëndimorëve apo ka interesa politikë?! Një politikë që bazohet në interesa politikë dhe jo në parime, është në kundërshti me vlerat evropiane dhe me demokracinë perëndimore.
Sot në Serbi, mu si në kohën e Millosheviqit, mbizotëron një qeverisje jodemokratike dhe antihistorike, totalitare dhe tiranike, despotike, autoritare dhe autokratike, bolshevike dhe proruse, retrograde, anakronike dhe mesjetare. Si është e mundur që një politikë të tillë ta mbështesin dhe ta shpërblejnë perëndimorët?! Në vend që ta dënojnë dhe ta ndëshkojnë.
Në rrethana të tilla, në shoqërinë serbe, lidhur me realitetin e ri në rajon, përfshi dhe Kosovën, nuk ka hapësirë për lindjen dhe përhapjen e ideve racionale. Shoqëria serbe vazhdon të notojë në ujërat e turbullta të radikalizmit dhe të obskurantizmit mesjetar. Sot, mbase edhe Vuçiqi është duke e parë se gjithë ky iracionalizëm po bëhet pengesë për një transformim demokratik të Serbisë. Në dy dekadat e fundit, në krye të politikës, të bazuar në mite mesjetare, ka qëndruar pikërisht ai. Ky është peng, edhe i Putinit, edhe i vetvetes.
Plani franko-gjerman bie ndesh:
– me pakon e Ahtisarit, pako kjo të cilën e kanë mbështetur vetë perëndimorët;
– me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë; pavarësi kjo të cilën e kanë mbështetur vetë perëndimorët;
– me parimet e BE-së për pacenueshmërinë e kufijve;
– me vlerat dhe parimet demokratike të BE-së.
– me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë*;
Shënim: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, si organ i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pasditen e datës 22 korrik 2010 bëri të ditur se “shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”. Njoftimin e bëri publik kryetari i GjND-së, juristi dhe diplomati japonez i shkolluar në Kembrixh, Hisashi Ovada (Hisashi Owada, 1932- ).
* * *
Për çfarë dialogu mund të flitet?! Nuk mund të investosh në Serbi dhjetëra miliardë euro apo dollarë dhe të kërkosh prej saj të bëjë dialog. Ledhatoje, përkëdhele dhe favorizoje Serbinë, e pastaj kërkoji asaj dialog. Një kërkesë e tillë s’ka sesi të mos jetë sterile, shterpe. Serbia do ta njihte realitetin e ri në Kosovë dhe në rajon, vetëm kur Fuqitë perëndimore – Uashingtoni, Berlini dhe Parisi do ta izolonin atë. Këta e kanë bërë të kundërtën. Izolimi apo veçimi i Serbisë nuk është vetëm interes i shqiptarëve, i Kosovës. Është interes i rajonit, i Evropës dhe i mbarë Perëndimit. Politika e Beogradit, qëkur u shpërbë amalgama jugosllave, paraqet gangrenë për rajonin. Ajo politikë, e bazuar në një ideologji mesjetare, më vonë edhe garashaniniste, nëpërkëmb tërë sistemin perëndimor të vlerave. Me të mbështetur Serbinë sot, vetë perëndimorët i shkelin vlerat dhe parimet e veta.
* * *
Asociacion, bashkësi komunash, zajednicë, dodik republikë, shtet brenda shtetit! Po atëherë përse u bë lufta?! Përse u vranë mijëra njerëz, fëmijë, gra dhe pleq. Sa për asociacion, zajednicë, bashkësi komunash serbe, dodik republikë dhe shtet brenda shtetit s’ka pasur nevojë për luftë.
Pas themelimit të asociacionit, bashkësisë së komunave serbe, zajednicës, dodik republikës, përkatësisht shtetit brenda shtetit a thua do të ketë politikan dhe intelektual shqiptar që do të shkojë për të bërë homazh te varri i komandantit legjendar Adem Jasharit?!
Një politikan i Kosovës, dikur ushtarak i lartë i luftës çlirimtare, e ka përdorur më herët shprehjen “dodik republikë”. Sot i njëjti e mbështet kërkesën e perëndimorëve për themelimin e bashkësisë së komunave serbe. Çfarë kthese absurde?!
Asociacioni, bashkësia e komunave serbe, zajednica, dodik republika s’janë tjetër pos krijimin në Kosovë të shtetit brenda shtetit. Krijim ky që do të jetë shumë më e favorizuar dhe më e privilegjuar se Kosova vetë. Krijim ky që shumë shpejt do të shkëputet nga Kosova për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Dhe s’do të ketë kush që do ta ndalë. Atëherë s’do të jenë as emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar (Escobar) me shuttle diplomacy-në e tij, as ambasadori i ShBA-së në Beograd, Kristofer Hill (Christopher Robert Hill, 1952- ).
* * *
Duket sikur rrumbullakimin e shtetësisë së Kosovës nuk do ta bëjnë demokratët amerikanë. Ata e filluan në vitin 1999 me presidentin Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946- ) dhe duket sikur thonë: “Prej nesh, kaq!” Me fjalë të tjera, një qëndrim më të prerë ndaj Serbisë, duhet të manifestojnë republikanët. Por bota e di se politika strategjike amerikane është një. Ajo nuk ndryshon as me ndërrimin e administratave. Kush janë interes strategjik i amerikanëve: shqiptarët proamerikanë apo serbët prorusë dhe prokinezë?!
* * *
Për çfarë dialogu ngulin këmbë Uashingtoni, Berlini dhe Parisi, kur Vuçiqi deklaron: “Sa të jem unë kryetar i Serbisë, kurrë s’kam për ta njohur pavarësinë e Kosovës”; kur ai thotë se Serbia do ta parandalojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Serbia s’e ka të drejtën e vetos, por e kanë miqtë e tyre – rusët.
* * *
Asociacion, bashkësi komunash serbe, zajednicë, dodik republikë apo shtet brenda shteti. Edhe po të bëhet kjo, Kosova do të vazhdojë të mbetet në Kushtetutën e Serbisë, pjesë e saj, të vazhdojë të quhet Kosovë dhe Metohi. Kur ta marrin detyrën deputetët apo funksionarët e Serbisë, do të betohen se do ta mbrojnë tërësinë territoriale të saj. Kosova do të vazhdojë të konsiderohet “tokë e shenjtë serbe”, “djep i Serbisë”, “Jerusalem serb”, “Serbi e Vjetër”.
Uashington, Berlin dhe Paris, mos i krijoni mundësi klerit fashist të Kishës Ortodokse Serbe që bashkë me Vuçiqin ta sjellin legalisht Rusinë në asociacionin, në zajednicën apo në dodik republikën që mëtoni ta krijoni ju!
* * *
Në vend që ta kushtëzojnë dhe ta shantazhojnë Serbinë, perëndimorët e kushtëzojnë Kosovën. E pabesueshme! Flijohet viktima në dobi të agresorit serbo-çetnik që ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Për liberalizimin e vizave, Kosova duhej të priste vite e vite. Po qe liberalizimi i vizave për Kosovën bëhet si kompensim apo si shpërblim për ta nënshkruar themelimin e shtetit brenda shtetit, kurrë mos u liberalizofshin ato. Ku është parë në histori: “Unë ty territor, ti mua viza”. Territor për viza! Një absurditet si ky s’e gjen dot as te teatri absurd apo në antidramat e dramaturgut, romancierit dhe poetit irlandez Semjuel Bek (Samuel Barclay Beckett, 1906-1989), aty ku Estragoni pret pafundësisht Godonë, i cili s’dihet në do të vijë ndonjëherë.
* * *
Kosova është digë e shqiptarisë përballë synimeve ekspansioniste të hordhive të egra barbare sllavo-bizantine.
Xhelal Zejneli