Spiropali përjashtohet nga Grupi Parlamentar i PS-së

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur për përjashtimin e deputetes Elisa Spiropali. Kërkesa për përjashtimin e deputetes është hedhur sot në votim gjatë mbledhjes së Grupit. Erion Braçe dhe Bledi Çuçi kanë abstenuar, ndërsa vetë Spiropali nuk ka qenë e pranishme në mbledhje.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama pati ngritur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste çështjen e përjashtimit të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga partia.

Sipas informacioneve, gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura, Rama u është drejtuar anëtarëve të Asamblesë me pyetjen: “A duhen përjashtuar Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca?”. Në të njëjtën mbledhje, kreu i qeverisë është ndalur edhe te kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke kërkuar që emri i tij të mos përfshihet në diskutimin për përjashtimet, për shkak se ndodhet në paraburgim. “Për atë jo, sepse i ka duart e lidhura”, mësohet të jetë shprehur Rama.

Ndërkohë, deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka kundërshtuar përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës, duke kërkuar që ndaj tyre të mos merret masa ekstreme e largimit nga partia, por të shqyrtohen masa të tjera ndëshkimore.

Në përfundim të mbledhjes, nuk pati votim për përjashtimin e tyre nga anëtarësia e PS-së. Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, sqaroi se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk do të jenë më pjesë e forumeve drejtuese të partisë, por do të vijojnë të mbeten anëtarë të Partisë Socialiste. Nga ana e tij, Plarent Ndreca ka reaguar publikisht, duke kundërshtuar mënyrën se si është trajtuar çështja e tij dhe duke ngritur pikëpyetje mbi respektimin e statutit të partisë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo