2.7 milionë numra kartelash bankare, FBI e gjurmon deri në Kosovë: Ekstradohet nipi i ish-deputetit në SHBA
Hektor Avdyli, 21-vjeçari nga Kosova, i raportuar si nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli, është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përballet me tetë akuza federale që lidhen me një skemë të dyshuar të krimit kibernetik.
Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, përmes një njoftimi të publikuar më 23 nëntor 2026, ku thuhet se Avdyli dyshohet se përdorte forume kriminale në “Dark Web” për të reklamuar dhe shitur të dhëna të vjedhura të kartelave bankare, të cilat blerësit mund t’i përdornin për mashtrime financiare.
Sipas dokumenteve gjyqësore, në tetor të vitit 2025, një juri federale në Milwaukee kishte ngritur aktakuzë të vulosur ndaj Avdylit, duke e ngarkuar me katër akuza për mashtrim përmes komunikimeve elektronike, dy për mashtrim me mjete pagese dhe dy për vjedhje të rëndë të identitetit.
Hetimet zbuluan se 21-vjeçari, i cili dyshohet se përdorte disa identitete të ndryshme në internet, pretendonte se të dhënat i siguronte duke përdorur programe keqdashëse për të vjedhur informacione nga faqet e blerjeve online.
Si pjesë e hetimit, FBI-ja kishte kryer blerje të fshehta nga shitësi, duke siguruar më shumë se 27 mijë numra të kartelave bankare të vjedhura dhe informacione personale të lidhura me to. Të dhënat përfshinin numrat e kartelave, kodet e sigurisë CVV, emrat, adresat, numrat e telefonit dhe adresat elektronike të viktimave.
Në bazën e të dhënave ishin identifikuar rreth 300 persona me adresa në shtetin amerikan të Wisconsin-it.
Në hard-diskun e tij u gjetën 2.7 milionë numra të kartelave
Një nga detajet më të rëndësishme të hetimit është sasia e madhe e të dhënave që autoritetet amerikane thonë se kanë gjetur në një nga hard-diskët e sekuestruar gjatë hetimeve.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, në pajisjen e tij janë gjetur rreth 2.7 milionë numra të mjeteve të pagesës, përfshirë kartela krediti, debiti dhe dhuratash, së bashku me informacione personale të ndërlidhura.
U arrestua në Kosovë me kërkesë të FBI-së
Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se identifikimi i Avdylit si shitës i të dhënave të vjedhura u realizua përmes hetimeve të FBI-së.
Në korrik të vitit 2026, autoritetet kosovare, duke vepruar me kërkesë të FBI-së dhe Departamentit Amerikan të Drejtësisë, e arrestuan atë në Kosovë.
Më pas, ai u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, ku më 20 nëntor 2026 doli para gjykatësit federal William E. Duffin në Milwaukee, Wisconsin. Gjykata vendosi që ai të mbahet në paraburgim deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Paralajmërimi i autoriteteve amerikane
Ndihmësprokurori i parë amerikan, Brad D. Schimel, deklaroi se rasti paraqet një zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër krimit kibernetik, pasi autoritetet kanë arritur të arrestojnë një të dyshuar nga jashtë SHBA-së, të cilin e lidhin me një sasi të madhe të të dhënave financiare të qytetarëve amerikanë.
Ndërkaq, Alan Karr nga zyra e FBI-së në Milwaukee theksoi se hetimi është realizuar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, me qëllim goditjen e skemave të mashtrimit kibernetik që prekin qytetarët amerikanë.
Në operacion kanë bashkëpunuar FBI-ja, Departamenti Amerikan i Drejtësisë, autoritetet e Kosovës dhe Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së, ndërsa rastin në gjykatë po e ndjek prokurori Benjamin Proctor.
Lidhja familjare me ish-deputetin Haxhi Avdyli
Rasti ka marrë vëmendje edhe në Kosovë për shkak të lidhjes familjare të Hektor Avdylit me ish-deputetin Haxhi Avdyli, për të cilin është raportuar se është nipi i tij.
Shënim: Departamenti Amerikan i Drejtësisë thekson se aktakuza përmban vetëm pretendime të prokurorisë dhe se Hektor Avdyli prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet përtej dyshimit të arsyeshëm në gjykatë.