AKI – Mexhitit: Një vit qeverisje, shumë premtime dhe asnjë rezultat në Çair! (VIDEO)





Sot jemi këtu për të ballafaquar kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, me premtimet që ua dha qytetarëve dhe me atë që realisht ka bërë pas vitit të parë të mandatit.
Gjatë fushatës na premtoi një Çair të transformuar. Infrastrukturë moderne, rrugë të rikonstruktuara, më shumë parkingje, pastërti, shkolla më të mira dhe hapësira për të rinjtë.
Por sot, ku janë këto premtime?
Ku janë kontejnerët nëntokësorë? Ku janë rrugët brenda lagjeve të Çairit? Ku është bulevardi “Hasan Prishtina”? Ku është zgjerimi i bulevardeve “Mit’hat Frashëri” dhe “Cvetan Dimov”? Ku është parkingu nëntokësor me rreth 800 vende në sheshin “Skënderbeu”?
Në arsim u premtua një ndërrim, mësim tërëditor dhe ushqim i ngrohtë për nxënësit. U premtua edhe një Qendër Rinore moderne. Por edhe këto premtime vazhdojnë të mbeten në letër.
Ndërkohë, për projektet që duhej të kishin nisur, tani dëgjojmë afate të reja. Për bulevardin “Cvetan Dimov” flitet për shkurtin ose marsin e vitit 2027. Pra, edhe pas një viti qeverisjeje, qytetarëve u ofrohen vetëm data të reja dhe premtime të përsëritura.
Zoti Mexhiti, qytetarët nuk ju votuan për t’u treguar se çfarë do të bëni nesër. Ju votuan për të parë çfarë keni realizuar sot!
Një vit nuk është pak për të treguar së paku rezultate konkrete. Qeverisja nuk është fushatë e përhershme, ndërsa konferencat për media, fotografitë dhe marketingu politik nuk mund t’i zëvendësojnë punët e munguara.
Prandaj, kërkojmë përgjigje të qarta publike: Cilat projekte janë realizuar? Cilat kanë ngecur? Kush mban përgjegjësi për vonesat dhe kur do të përfundojnë?
Çairi nuk ka nevojë për një kryetar që premton çdo ditë. Ka nevojë për një kryetar që i mban premtimet!
Ne si opozitë do të vazhdojmë të kërkojmë llogari, sepse qytetarët meritojnë rezultate, jo arsyetime.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo