Qytetarët vendosin mbishkrimin shqip në parkun “Oaza”në Butel! BDI: Ne e vendosëm, VLEN: BDI la zgjidhje gjysmake (VIDEO)

Qytetarët vendosin mbishkrimin shqip në parkun “Oaza”në Butel!  BDI: Ne e vendosëm, VLEN: BDI la zgjidhje gjysmake (VIDEO)

Vendosja e mbishkrimit në gjuhën shqipe në parkun “Oaza” në Butel ishte edhe shkak i përplasjeve mes këshilltarëve shqiptarë dhe atyre maqedonas në Komunën e Butelit.

Një javë më parë, këshilltarët shqiptarë të AKI-së dhe VLEN-it u bashkuan në një iniciativë të përbashkët, duke kërkuar që në parkun e Butelit të respektohet edhe gjuha shqipe.

Ndërkohë, sot, në tabelën e parkut “Oaza” shihet edhe mbishkrimi në gjuhën shqipe. Sipas këshilltarëve të AKI-së, mbishkrimet janë vendosur nga vetë qytetarët.

“qytetarët vendosën të ndërmarrim këtë hap konkret: Në tabelën e Mega Parkut të Butelit të vendosin edhe mbishkrimin në gjuhën shqipe. Me këtë veprim jo vetëm që plotësohet një obligim ligjor, por njëkohësisht sigurohet që qytetarët shqiptarë të lexojnë në këtë hapësirë publike edhe në gjuhën e tyre amtare, e që kjo përbën krenari për ta” thonë nga BDI.

Por, ndryshe nga këshilltarët e AKI-së, ata të VLEN-it nuk kanë marrë pjesë në këtë zhvillim, por kanë përshëndetur dhe mbështetur këtë inicativë qytetare duke thekësuar se nuk do të heqin dorë nga kjo e drejtë.

“E përshëndesim iniciativën e qytetarëve dhe shprehim mbështetjen tonë për çdo nismë që synon zgjidhjen e këtij problemi. Si këshilltarë të VLEN-it në Komunën e Butelit, kërkojmë përgjegjësi institucionale për moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe insistojmë që gjuha shqipe të respektohet në të gjitha nivelet e funksionimit të komunës” thonë këshilltarët e VLEN-it,

Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Butel merr rëndësi edhe për shkak të strukturës demografike të komunës. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në Komunën e Butelit jetojnë mbi 14 mijë shqiptarë, apo 37,1 për qind e popullsisë rezidente, ndërsa maqedonasit përbëjnë 44,8 për qind, me rreth 17 mijë banorë.

Numri i madh shqiptareve në Butel dhe të drejtat e garantuara me ligj bëjnë që gjuha shqipe të mos trajtohet si pengesë, por si pjesë e barabartë e jetës institucionale. Respektimi i gjuhës shqipe është respektim i qytetarëve shqiptarë dhe i të drejtave të tyre. Në një komunë ku jetojnë mbi 14 mijë shqiptarë, shqipja duhet të dëgjohet, të shkruhet dhe të respektohet si gjuha maqedonase./TS/

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo