Barcelona përgatit ofertën e re për Bastonin, Interi ia cakton çmimin





Barcelona nuk ka hequr dorë nga transferimi i mbrojtësit të Interit, Alessandro Bastoni, dhe po përgatit një lëvizje të re për ta bindur italianin që të transferohet në “Camp Nou”.

Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, klubi katalunas ka vazhduar kontaktet me agjentin e futbollistit 27-vjeçar dhe po punon për ta konkretizuar interesimin e tij.

Bastoni më parë kishte arritur marrëveshje për kushtet personale me Barcelonën, me një kontratë të planifikuar deri në vitin 2031.

Megjithatë, mbrojtësi dëshiron garanci nga trajneri Hansi Flick përpara se të rihapë negociatat dhe të vendosë për një transferim të mundshëm në Spanjë.

Në anën tjetër, Interi nuk dëshiron ta humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Zikaltrit e vlerësojnë Bastonin rreth 70 milionë euro dhe tashmë i kanë ofruar atij një kontratë të re.

Oferta fillestare e klubit italian është refuzuar nga futbollisti, duke lënë të hapur mundësinë e një largimi në të ardhmen.

Barcelona po e monitoron nga afër situatën dhe shpreson që të gjejë një rrugë për ta transferuar mbrojtësin, i cili shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin defensiv.

Mbetet të shihet nëse katalunasit do të bëjnë një ofertë konkrete dhe nëse Bastoni do të vendosë ta vazhdojë karrierën në La Liga, apo do të qëndrojë te Interi.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo