Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje nga detyra, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, rast që nxiti protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.
Dorëheqja është pranuar nga kryeministri Albin Kurti, i cili e ka liruar Hoxhën nga detyra. Në vend të tij, ushtrues detyre i drejtorit të Policisë është caktuar Fehmi Hoti, me propozim të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Qeveria e Kosovës nuk ka bërë të ditura arsyet e largimit, ndërsa Hoxha nuk ka komentuar vendimin.
Një ditë para dorëheqjes, Policia kishte pezulluar 11 zyrtarë për shkak të përfshirjes në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt. Masa u morën edhe në sistemin e prokurorisë, ku u pezulluan kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferri.
Vrasja e 25-vjeçares shkaktoi protesta në disa qytete të Kosovës, ku qytetarët kërkuan drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet.
Hoxha ishte emëruar në krye të Policisë së Kosovës në mars të vitit 2023. Në këtë institucion ishte pjesë që nga viti 2000, ndërsa gjatë karrierës kishte mbajtur disa pozita drejtuese.