Dimitrieska-Koçoska në takime me përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe IFC-së: Konfirmohet përkrahja për reformat dhe prioritetet zhvillimore të vendit

14 tetor 2026, Bangkok – Në suaza të takimeve të vjeshtës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat këtë vit po mbahen në Bangkok të Tajlandës, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, zhvilloi takime me nënkryetaren rajonale të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonela Basani, nënkryetarin e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për Evropën, Amerikën Latine dhe Karaibet, Alfonso Garcia Mora, si dhe drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, për grupin e vendeve anëtare ku bën pjesë edhe Maqedonia, Juxhin Rugenat.

Gjatë takimeve u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm me këto institucione financiare ndërkombëtare, aktivitetet aktuale dhe projektet që po zbatohen në vend, si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejshëm të partneritetit në përkrahje të reformave dhe prioriteteve zhvillimore të vendit.

Banka Botërore mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm zhvillimorë të Maqedonisë, duke ofruar përkrahje financiare dhe ekspertizë profesionale për zbatimin e reformave dhe realizimin e projekteve në fusha të ndryshme.

Portofoli aktual përfshin aktivitete të orientuara mbi përmirësimin e menaxhimit të financave publike, modernizimin e infrastrukturës, rritjen e efikasitetit energjetik, si dhe zhvillimin e arsimit, mbrojtjes sociale dhe bujqësisë.

Gjatë bisedimeve u theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC) me qëllim të inkurajimit të investimeve private, përmirësimit të mjedisit afarist, përkrahjes së tranzicionit të gjelbër dhe rritjes së konkurrencës së ekonomisë vendase.

Vëmendje e veçantë iu kushtua realizimit të Kornizës së partneritetit me Bankën Botërore për periudhën 2024–2028, e cila parashikon përkrahje të theksuar financiare dhe teknike për vendin në vlerë prej rreth 700 milionë dollarësh.

Në këtë drejtim, theksi u vendos në përshpejtimin e realizimit të projekteve, shfrytëzimin më efikas të mjeteve të disponueshme dhe arritjen e rezultateve konkrete për qytetarët dhe ekonominë.

Gjatë takimeve u diskutua gjithashtu edhe për mundësitë për përkrahjen e investimeve të reja strategjike, si dhe për promovimin e bashkëpunimit në fushat që janë të rëndësishme për rritjen ekonomike, konkurrencën e sektorit privat dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.

Ministrja Dimitrieska-Koçoska theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të reformave, ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe avancimit të menaxhimit të financave publike. Partneriteti me institucionet financiare ndërkombëtare ka rol të rëndësishëm në realizimin e prioriteteve zhvillimore dhe investimeve strategjike, të cilat synojnë të kontribuojnë në rritjen ekonomike afatgjate dhe të qëndrueshme.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore e përgëzuan përcaktimin e Qeverisë për vazhdimin e reformave dhe konfirmuan gatishmërinë e institucionit që edhe në periudhën e ardhshme të ofrojë përkrahje ekspertësh dhe financiare për realizimin e prioriteteve zhvillimore të vendit.

Në takim, krahas ministres, mori pjesë edhe guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.

Dimitrieska-Koçoska në takime me përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe IFC-së: Konfirmohet përkrahja për reformat dhe prioritetet zhvillimore të vendit

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo