BALLKANI “JETIM” NË PRITJE TË EUROPËS

Në luftën e kryqëzatave, kur ushtritë kalonin me karvanët nëpër pyjet e Europës Juglindore, princat, kontët, konteshat dhe populli i pritnin me lule. Shumë të rinj dhe të reja u bashkëngjiteshin kryqëzatave dhe, për të luftuar kundër të pabesëve, shkuan në Jerusalem, te varri i Krishtit, që të çlirojnë Jerusalemin nga armiqtë e krishterimit. Rrugës, duke kaluar nëpër Europën Juglindore, kryqëzatat plaçkitnin, dhunonin vajza dhe gra. Kur arritën në Konstandinopojë, duke menduar se kanë ardhur si shpëtimtarë të krishterimit, kryqëzatat, si barbarët dhe bishat e egra, filluan të djegin, plaçkitin, dhunojnë vajzat dhe gratë tona, thuhet në një letër të Justinianit.
Perandori bizantin Justiniani dërgoi një letër Perandorisë së Shenjtë, duke i thënë dhe duke u ankuar me notë proteste se kryqëzatat kanë bërë kërdi, duke “plaçkitur dhe dhunuar gratë dhe vajzat tona”. Ata ishin përgjigjur se ushtarët e tyre nuk kanë bërë ndonjë mëkat të madh, se paskan dhunuar ndonjë plakë. Ju nuk na erdhët në ndihmë kur osmanët pushtuan Kostandinopojën.
Dhe këtu fillon një rrëfim që përshkruhet në veten e dytë shumës, një lloj rrëfimi që mund të përshkojë gjithë historinë e Ballkanit problematik. Ju nuk na erdhët në ndihmë kur Perandori i fundit Bizantin, me shpatë në dorë, u fut në betejë dhe nuk doli gjallë. Ju, duke ndenjur duarkryq dhe duke bërë sehir, u ngazëllyet kur Perandori Bizantin në fund dha shpirt.
Pasi na e kthyet shpinën, në Ballkan filluan të vijnë dervishë, sofistë, njerëz të urtë me mjekra, si emisarë, duke sjellë një fe të re. Pastaj hordhitë osmane na pushtuan, na ndanë nga trungu amë më se pesë shekuj. Ne u ndamë si shqiponja që rebelohet dhe u largua nga vendi i saj, thuhej në përgjigjen, por, kur u kthye, asaj ia kishin vënë një unazë në këmbë. Ne, pas pesë shekujsh, iu kthyem kontinentit amë, por me unazë në këmbë, me damkë e nishan, që edhe sot nuk na pranoni t’i bashkëngjitemi amës sonë.
Ne u shkëputëm përgjithmonë nga Lindja, orientalizmi, për t’iu bashkuar oksidentalizmit, shtëpisë sonë europiane. Ne e mbrojtëm me fanatizëm Europën e krishterë nga armiqtë e saj osmanë. Po të mos ishim ne si muri mbrojtës, osmanët do të pushtonin Romën, Parisin dhe, në fund, edhe juve do t’jua vinin unazën në këmbë. Ju thoni se ne ballkanasit jemi të krishterë të Lindjes, me divergjenca kulturore dhe fetare. Ju thoni se aty ku fillon katolicizmi dhe protestantizmi, aty fillon Europa. Kurse neve na konsideroni si popuj të Lindjes, se kufiri i Europës është i prerë në mes krishterimit perëndimor dhe lindor, ortodoks dhe islam, se janë dy qytetërime me antagonizma, që vijnë në përplasje mes qytetërimit tonë dhe qytetërimit tuaj.
Ju neve, ballkanasve, na premtuat se pas Rumanisë dhe Bullgarisë ne e kemi radhën. Ne i nxorëm biletat, duke pritur me vite trenin për në Bruksel. Na premtuat në vitin 2010, pastaj në vitin 2015. Ju neve na gënjeni, na injoroni, se akoma nuk i kemi kryer detyrat për të hyrë në familjen e përbashkët europiane. Nuk keni treguar mëshirë ndaj pjesës së shkëputur të popujve europianë, që rrjedh nga toka, gjaku dhe fisi juaj europian. Në fund u treguat egoistë dhe çnjerëzorë ndaj refugjatëve, duke u grindur mes vete se kush do t’i pranojë. Keni qenë egoistë dhe keni ngelur të tillë.
Thoni se Europa është një klub i krishterë-perëndimor. Ju, ne ballkanasit, na konsideroni si tinejxherë, fëmijë jetimë dhe bastardë. Në qoftë se më tej vazhdoni të na premtoni me fraza dhe slogane boshe, ne prapë do të rebelohemi. Do t’u kthehemi atyre që në Mesjetë na e vunë unazën. Do t’u kthehemi flamujve të vjetër, do t’i kthehemi Erdogan abit dhe bat Putinit. Mirë na tha Taip abi, kur ishte në një vizitë në Ballkanin Perëndimor: mos u besoni atyre, se ata juve ju gënjejnë sikur neve; duke pritur dekada me radhë, në fund ngelët të zhgënjyer. Po të ishit me ne, tha abi, e kishte fjalën për shqiptarët dhe boshnjakët, do t’ju ushqenim me llokume dhe bonbone. Ju për ne jeni sa një lugë kos në det, sa një vilajet ose paralagje e Stambollit. Ne ballkanasit kemi dhe bato Putinin. Ai na ka thënë: ju jeni popull lindor, nuk keni asgjë të përbashkët me perëndimorët. Jeni gjaku, gjeni dhe fisi ynë. Jeni kushërinj, nipa dhe stërnipat tanë, tha Bato Putin. Ne rusët, po të shmangim një vakt në ditë dhe të mos pimë vodka, ju do t’ju ushqenim tërë vitin me qumësht e mjaltë, tha Bato Putin.

Sindromi dhe taverna ballkanike

Ju na thoni se ne ballkanasit kemi gjen dhe instinkt luftarak dhe e kemi përgjakur historinë. Në çdo shekull dhe gjysmë shekulli kemi bërë luftëra. Ju ishit aktorët dhe protagonistët që e filluat Luftën e Parë Botërore. Jeni të gjithë nipa, stërnipa dhe kushërinj. Jetoni në hasmëri dhe urreheni mes vete. Secili prej jush thotë: ne jemi racë superiore, popull biblik, gjuha jonë është gjuhë e Zotit. Ju ballkanasit keni të njëjtën traditë, tipare, të njëjtën metodë dhe të njëjtën kuzhinë. Por ju nuk e njihni vetveten, ju kacafyteni mes vete, duke thënë se shqiptarët janë primitivë, boshnjakët injorantë, kroatët egoistë, serbët arrogantë dhe maqedonasit narcistë të krishterë. Ju thoni se ne jemi europianë. Shqiptarët dhe boshnjakët janë të turqizuar, ata janë më të rrezikshëm se turqit. Por për ne, ju jeni ballkanas të gjithë njësoj. Ne juve nuk ju dallojmë. Ju futim të gjithëve në një kosh.
Në luftërat ballkanike dogjët shkrumb e hi arkitekturën e qytetërimeve të lashta, trashëgiminë kulturore dhe thesarin e çmuar të kontinentit europian, duke thënë se nuk është e jona, por e armiqve dhe pushtuesve të huaj. Ju, po të doni, mund të filloni prapë luftë, mund ta ndizni fuçinë e barotit kur të doni. Por të dini se nuk do të dërgojmë djemtë tanë, si më parë, nëpër fushëbeteja, qosheve të Ballkanit, për egon, urrejtjen patologjike dhe narcizmin tuaj shekullor. Ju merreni me mite, kulte, blasfemi. Liderët tuaj në fillim i profetizoni, i lartësoni dhe, në fund, i mposhtni dhe nëpërmjet natës i shpallni tradhtarë. Heronjtë dhe martirët tuaj, me lavde dhe kurora, i varrosni në varrezat e dëshmorëve të kombit.
Pastaj, kur vijnë despotët, vini, i çmitizoni, i zhvarrosni pa nam e nishan, që nuk u gjenden as kockat. Ju nëpërmjet natës ngrini statuja, i shndërroni në tempuj, idhuj, heronjtë. Të mjerët ju me heronjtë tuaj. Më në fund u penduam që i pranuam dy shtete ballkanike. Në Greqi vozitin me vetura luksoze, Porsche, Mercedes, Ferrari, më shumë se në Gjermani.
Ata kanë konsumuar pensionet e të vdekurve, duke jetuar në kurrizin tonë, nga taksapaguesit dhe fondet tona. Ju ballkanasit mund t’i ktheheni Erdogan abit dhe bato Putinit. I keni portat e hapura. Keni elitën e përçarë, me politikanë oligarkë të korruptuar. Akoma nuk keni bërë transformim kulturor, politik, si dhe nuk e keni shijuar demokracinë, nuk e dini se ç’është demokracia. Jeni mësuar të jetoni nën frikën e despotëve dhe tiranëve dhe, në fund, i shndërroni në mite, ikona dhe kulte.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo