EVROPA E PAQES, BALLKANI I KRIZAVE





Historia e Evropës është një dëshmi e fuqisë së vullnetit politik për të tejkaluar konfliktet dhe për të ndërtuar një rend të ri paqeje e bashkëpunimi. Një kontinent që për shekuj u përfshi nga luftëra të përgjakshme, arriti pas Luftës së Dytë Botërore të ndërtojë një projekt historik, Bashkimin Evropian, i cili e shndërroi rivalitetin në partneritet dhe armiqësinë në bashkëpunim.
Sot, Evropa përfaqëson një hapësirë ku demokracia, institucionet, ekonomia e përbashkët dhe diplomacia kanë krijuar një model të ri të marrëdhënieve ndërmjet shteteve. Konfliktet historike që dikur dukej se ishin të pazgjidhshme, u tejkaluan përmes dialogut, pajtimit dhe vizionit për një të ardhme të përbashkët.
Por në zemër të kontinentit evropian, Ballkani Perëndimor vazhdon të përballet me sfida të mëdha politike dhe historike. Për fat të keq, në këtë rajon krizat shpesh nuk janë shuar përfundimisht, por janë transformuar në forma të reja, duke vazhduar të ndikojnë në stabilitetin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet vendeve.
Ballkani Perëndimor mbetet një rajon ku e kaluara ende peshon fuqishëm mbi të tashmen. Çështjet e pazgjidhura historike, mungesa e besimit ndërmjet aktorëve politikë, nacionalizmat e tepruar dhe dobësitë institucionale kanë penguar krijimin e një klime të qëndrueshme paqeje dhe zhvillimi.
Në vend që historia të shërbejë si mësim për ndërtimin e së ardhmes, ajo shpesh rikthehet si burim i tensioneve të reja. Retorikat politike që ushqejnë ndarjet dhe konfliktet e së kaluarës e vështirësojnë procesin e pajtimit dhe integrimit evropian.
Megjithatë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të mbetet peng i historisë. Rajoni ka mundësi të ndryshojë kurs përmes forcimit të demokracisë, respektimit të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit ekonomik dhe orientimit të qartë drejt vlerave evropiane.
Mësimi që jep historia evropiane është i qartë, paqja nuk ndërtohet vetëm me përfundimin e luftërave, por me krijimin e institucioneve që parandalojnë rikthimin e konflikteve. Evropa e dëshmoi këtë përmes integrimit, ndërsa Ballkani Perëndimor ende ka përpara sfidën për ta kthyer paqen nga një objektiv politik në një realitet të qëndrueshëm.
Në shekullin XXI, pyetja kryesore nuk duhet të jetë pse Ballkani vazhdon të mbetet rajon krizash, por si mund të ndërtohet një kulturë e re politike që e zëvendëson konfliktin me bashkëpunimin dhe ndarjen me integrimin.
Evropa zgjodhi rrugën e paqes, tani është koha që edhe Ballkani Perëndimor të zgjedhë rrugën e stabilitetit dhe të së ardhmes.
Shkruan: Prof. Asoc. Dr. Nijazi Halili
PhD në Administrim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo