Kur pushteti e zbeh zërin politik





Në Maqedoninë e Veriut, sipas këndvështrimit tim, partitë shqiptare që janë pjesë e koalicionit qeverisës me VMRO-DPMNE po tregojnë një mungesë të dukshme guximi politik përballë zhvillimeve rajonale. Në vend të qëndrimeve të qarta dhe parimore, shpesh dëgjohet heshtje ose deklarata të kujdesshme që nuk i japin përgjigje shqetësimeve të qytetarëve.

Pushteti nuk duhet të jetë arsye për të heshtur. Përkundrazi, ai duhet të jetë mjeti për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të artikuluar me dinjitet qëndrimet politike. Kur një parti hyn në qeveri, ajo nuk heq dorë nga identiteti, përgjegjësia dhe obligimi për të folur hapur për çështjet që prekin shqiptarët dhe stabilitetin e rajonit.

Historia ka treguar se popujt nuk i kujtojnë ata që heshtën për të ruajtur karrigen, por ata që folën kur ishte e vështirë. Heshtja mund të ruajë përkohësisht koalicionin, por rrallëherë ruan besimin e qytetarëve.

Sot qytetarët nuk kërkojnë deklarata diplomatike të zbrazëta. Ata kërkojnë lidership, integritet dhe kurajë politike. Sepse një përfaqësues që nuk flet kur kërkohet zëri i tij, rrezikon të humbasë arsyen pse është zgjedhur.

Politika nuk matet vetëm me numrin e ministrive apo funksioneve të fituara, por me aftësinë për të mbrojtur interesin publik edhe kur kjo kërkon të thuhet një e vërtetë e pakëndshme. Vetëm kështu fitohet respekti i qytetarëve dhe ndërtohet një kulturë politike e bazuar në përgjegjësi, e jo vetëm në pushtet .
Pedagog : Abdulla Xhaferi

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo