Shkruan: Merxhan Jakupi
Pas Rezolutës së Informbyrosë, Enver Hoxha kishte kaluar në anën e Stalinit. Konflikti ideologjik mes dy prijësve komunistë, Titos dhe Enver Hoxhës, solli edhe mbylljen hermetike të kufirit mes dy shteteve.
Nga ky katund kishin mbetur në Shqipëri dy luftëtarë të Ballit Kombëtar dhe tre partizanë.
Në zonën kufitare të katundit në malësinë e Mali Sharr vazhdonin konfliktet dhe vrasjet mes ushtarëve jugosllavë dhe ushtarëve të Shqipërisë. Sipas lajmeve dhe mediave perëndimore, disa ushtarë jugosllavë ishin vrarë në zonat kufitare nga forcat ushtarake të Shqipërisë.
Konflikti mes dy prijësve komunistë, Titos dhe Enverit, solli edhe përçarje mes ish-partizanëve dhe veteranëve të luftës në katund. Konflikte dhe përçarje mes disa familjeve kishte pasur që në fillim të Luftës së Madhe. Nga familja e Ukajve ishin bashkangjitur çetave të Ballit Kombëtar, ndërsa nga familjet Laçi dhe Hoxha, djemtë e tyre ishin bashkuar me çetat partizane.
Krushqia mes familjes Ukaj dhe familjes Hoxha ishte prishur, pasi i fejuari i Hoxhajve kishte dalë partizan në mal.
Sa më shumë vazhdonin urrejtjet, fyerjet, intrigat dhe përplasjet mes dy prijësve komunistë, Titos dhe Enverit, aq më tepër shtohej edhe urrejtja mes veteranëve të quajtur “titistë” dhe “enveristë”.
Te kafeneja e Lutës dhe në sokakun e Lurëve, politizimi dhe polarizimi po shtohej. Veteranët osmanë shpesh bisedonin në gjuhën turke për situatën politike. Po ashtu, edhe ata të Luftës së Madhe të krahut titist shpesh flisnin në gjuhën serbo-kroate.
Në mbrëmje, me padurim, prisnin lajmet te kafeneja e Lutës. Njëherë dëgjoheshin lajmet e Radio Beogradit, pastaj ato të Radio Tiranës. Lajmet kishin filluar me akuza, intriga dhe, në fund, me fyerje nga të dyja palët.
Radio Tirana kishte filluar me kritika dhe akuza ndaj prijësit komunist jugosllav, Tito. Enver Hoxha e akuzonte Titon me një gjuhë të ashpër dhe ai cilësohej si “kuisling”, “ diletant” dhe “ fëmijë bastard borgjez”, gjegjësisht si dora e djathtë e social-kapitalizmit. Një akuzë tjetër ishte se Titi nuk ka pasur haber nga marksizëm-leninizmi.
Spikeri i lajmeve vazhdonte me fyerje dhe akuza. Tito përshkruhej si një farkëtar dhe xhambaz dhe se ai nuk e kishte kryer as shkollën fillore.
Nuk mungonin as akuzat dhe fyerjet ndaj Fadil Hoxha. Spikeri e quante atë “tradhtar të kombit shqiptar” dhe duke e cilësuar si “ Fadil Çakalli”, “Fadil Bastardi” dhe “Fadil Matrapazi”.
Situata kishte eskaluar edhe më tej mes dy prijësve komunistë, të cilët përmes propagandës shtetërore përdornin gjuhë të ashpër turme dhe gjuhë të vdekur ideologjike.
Radio Beogradi dhe Radio Zagrebi kishin filluar gjithashtu me fyerje, intriga dhe etiketime ndaj prijësit komunist, Enver Hoxha.
Në propagandën e kohës, Enver Hoxha sulmohej vazhdimisht edhe për jetën e tij studentore në universitetin e Sorbonës dhe Brukselit. Ai përshkruhej si një “aventurier” dhe “diletant” i llastuar, si “Don Zhuan” dhe gjuetar në klubet e natës në Paris. Gjithashtu pretendohej se ai ishte kthyer në Shqipëri pa diplomë. Ai akuzohej edhe si tregtar ilegal duhani. Pretendohej se gjatë periudhës së Ahmet Zogu ai nuk ishte ndjekur për veprimtari komuniste, por për tregti ilegale me duhan.
Radio Tirana vazhdonte me akuza të ashpra ndaj Titos. Ai përshkruhej si partizan fetishist sadist dhe pervers, në organizatën e formuar të rinisë, e quajtur “Rinistët e Titos”. Spikeri e Radio Tiranës vazhdonte me disa akuza vullgare me pretendimin se rezidencën e tij e kishte bërë si haremet e sulltanëve dhe padishahëve osmanë.
Sipas rrëfimeve që qarkullonin në atë kohë, Tito kishte thirrur në kabinetin e tij Fadil Hoxha. Duke vërejtur se Enveri dhe Fadili kishin të njëjtin mbiemër, ai e kishte pyetur Fadil Hoxhën nëse kishte lidhje farefisnore.
Fadil Hoxha, duke buzëqeshur, i kishte thënë Titos: “Ne jemi të të njëjtit komb, shqiptar. Unë jam geg nga veriu, ndërsa Enveri është tosk nga jugu i Shqipërisë. Njësoj siç jeni ju zagor, ndërsa heroi Ivo Lola Ribar dalmatin”.
Fadil Hoxha kishte vazhduar shpjegimin, duke thënë se ashtu siç ekzistojnë dallime dialektore mes zagorëve dhe dalmatëve, edhe ne shqiptarët kemi dialektin geg dhe tosk. “Enver Hoxha është tosk dhe flet dialektin toskërisht. Unë jam geg dhe flas gegnishten. Pa dallim krahinash e provincash, shqiptarët janë një komb me dy fe”, i kishte thënë Titos Fadil Hoxha.
Tito e kishte pyetur Fadil Hoxha edhe për takimet që kishte pasur me Enver Hoxhën. “Di diçka për fëmijërinë dhe familjen e Enverit?”, e kishte pyetur Tito. Fadil Hoxha i kishte thënë Titos se prindërit dhe gjyshi i Enverit kishin dashur që djali i tyre të bëhej hoxhë. Sipas tij, Enver Hoxha mësimet e para i kishte filluar në mejtep, te imami i qytetit.
Në atë moment, Tito e kishte ndërprerë Fadilin. “Është për t’u habitur”, kishte thënë Tito. “Edhe nëna e Stalin e kishte dërguar djalin e saj për prift. Stalini, sikurse Enveri, mësimet e para i kishte filluar në shkolla teologjike”.
Tito, duke thithur puren, i kishte thënë në fund të bisedës Fadil Hoxhës: “ E njëjta histori dhe odise e këtyre partizanëve fetishist dhe dehuman, nga krisht u konvertuan në antikrisht”.
kishte shtuar në fund të bisedës se historia e këtyre revolucionarëve ishte e çuditshme dhe plot kthesa ideologjike. Ai kishte aluduar se shumë prej tyre, nga edukimi fetar, kishin kaluar në një botëkuptim krejtësisht të kundërt politik dhe ideologjik.