Reagojnë ‘Ballistët’: Politika t’i heqë duart nga sporti, ndaj Shkëndijës po ushtrohet urrejtje patologjike

Tifo-grupi zyrtar i KF Shkëndijës, “Ballistet”, ka dalë me një reagim të ashpër publik drejtuar Federatës së Futbollit dhe opinionit të gjerë, duke akuzuar për dëmtime të qëllimshme dhe tendencioze ndaj klubit të tyre gjatë këtij sezoni.

​Sipas tifo-grupit, i gjithë mllefi i shprehur së fundmi vjen si pasojë e një qasjeje të koordinuar kundër Shkëndijës, një klub që ka përfaqësuar me suksese futbollin vendor edhe në arenën ndërkombëtare.
​”Deklarata amatoreske dhe urrejtje patologjike”

​Në reagimin e tyre, “Ballistet” i cilësojnë qëndrimet e federatës si amatoreske dhe të ulëta për një institucion që duhet të garantojë neutralitet. Ata ndër të tjera theksojnë:
​”Në shumë raste janë linçuar emra të përveçëm të klubit, pa llogaritur se Shkëndija është emër që influencon një komunitet të gjerë tifozësh dhe prek ndjenjat e një etnikumi. Nga kjo japim të kuptojmë se ekziston urrejtje patologjike kundër ekipit tonë.”

​Thirrje që politika të largohet nga sporti

​Tifozët kuqezi kanë përcjellë një mesazh të qartë se ndërhyrjet jashtë-sportive mund të kenë efekte zinxhire me pasoja më të rënda në sferat e tjera të jetës shoqërore.

​”Porosia jonë dhe mesazhi kryesor është që politika të heqë duart nga sporti, pasi çështja nga futbolli mund të reflektojë edhe në sfera të ndryshme të jetës me pasoja më të rënda. Ne nuk duam asgjë tjetër, vetëm drejtësi për klubin tonë.”

​Akuzat ndaj mediave maqedonase dhe kundërpërgjigjja ndaj ofendimeve nacionale

​Në shënjestër të reagimit kanë qenë edhe mediat maqedonase, të cilat sipas “Ballisteve” po tentojnë të dramatizojnë situatën me qëllim që Shkëndija të ndëshkohet. Tifozët kujtojnë se thirrjet e tyre vijnë shpesh si kundërpërgjigjje ndaj provokimeve dhe fyerjeve në baza nacionale nga tifo-grupet e tjera.

​”Mos vallë keni harruar për sharjet dhe ofendimet e palës tuaj në baza nacionale? Thirrjet tona janë si pasojë e kësaj dukurie dhe kundërpërgjigjje për këto grupe. Ne jemi shqiptarë, kemi gjuhën tonë, traditën tonë, nuk pranojmë përulje dhe nënshtrim.”

​Urime Sileksit, por kërkohet drejtësi për sezonin e ri

​Në mbyllje të reagimit, tifo-grupi ka treguar korrektësi sportive duke uruar kundërshtarin për fitoren, por mbeten skeptikë për të ardhmen e ndarjes së drejtësisë në vend.

​”Nuk e kemi problem të urojmë Sileksin për fitoren e merituar, megjithatë kërkojmë që në sezonin e ardhshëm të ketë drejtësi në të gjitha ndeshjet dhe kompeticionet, si në kupë ashtu edhe në ligë, edhe pse duket shumë e vështirë një gjë e tillë në këtë shtet!”, përfundon reagimi i “Ballisteve”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo