Sot u mbajt mbledhja e parë e Bashkimit Demokratik për Integrim – Dega Tetovë, pas përfundimit të procesit të ristrukturimit të strukturave partiake dhe mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor.
Në mbledhje u konstatua mbarëvajtja e procesit të ristrukturimit, organizimit dhe konsolidimit të strukturave partiake, me theks të veçantë te përfshirja e të rinjve, të cilët paraqesin energjinë e re dhe forcën shtytëse të këtij kapitulli të ri politik në Degën e Tetovës.
BDI – Dega Tetovë do të vazhdojë me konsolidimin e bazës partiake në çdo nëndegë, duke qenë më afër qytetarëve, nevojave të tyre dhe sfidave me të cilat përballen në përditshmëri.
Në mbledhje u diskutua edhe për situatën aktuale politike në vend, veçanërisht për margjinalizimin dhe pozicionimin e dobët të faktorit politik shqiptar në këtë qeverisje, si një çështje që kërkon seriozitet, përgjegjësi dhe reagim politik të qartë.
Gjithashtu, u trajtuan edhe tema me rëndësi lokale, me theks të veçantë keqmenaxhimi i udhëheqësisë aktuale komunale, mungesa e transparencës, keqmenaxhimi i fondeve komunale, si dhe tjetërsimi i pronës publike, dukuri këto që paraqesin shqetësim serioz për qytetarët e Tetovës.
BDI – Dega Tetovë fillon një rrugëtim të ri, me energji të reja, me forca të reja dhe me përkushtim të plotë për të qenë zëri i qytetarëve.
Do të qëndrojmë fuqishëm kundër çdo keqmenaxhimi, çdo abuzimi dhe çdo tentative që dëmton Tetovën dhe tetovarët.