Mbi dy milionë qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi të premten listën votuese për këtë proces zgjedhor.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2,092,174 votues – 15,884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas të dhënave nga lista votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike.
KQZ-ja bëri të ditur se 22,685 qytetarë do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. Prej tyre, 16,934 kanë mbushur moshën 18-vjeçare pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, ndërsa 5,751 janë regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil ose kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.
Bazuar në rezultat dhe vlerësimet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Kosova ka 1,602,515 banorë. Sipas ASK-së, Kosova i ka 1,586,659 banorë të regjistruar, por se është bërë edhe vlerësimi për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ku procesi i regjistrimit ishte bojkotuar, dhe është nxjerrë numri i përgjithshëm.
Sipas raportit, nga lista e votuesve janë larguar gjithsej 6,801 persona pas zgjedhjeve të fundit. Ky numër përfshin 6,165 persona të vdekur, 419 qytetarë që kanë humbur shtetësinë e Kosovës dhe 217 persona të larguar pas pranimit të dhënave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të organizohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2,550 vendvotime. Prej tyre, 911 qendra me 2,498 vendvotime do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra me 52 vendvotime do të mundësojnë votimin me kusht.
Ndërkaq, votimi jashtë vendit, përveç atij me postë, do të organizohet edhe në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. Votimi fizik në këto përfaqësi do të mbahet më 6 qershor 2026.