Nga: Sevi Lami Agolli
Gjuha shqipe nuk përfaqëson vetëm një instrument komunikimi, por është boshti kurrizor i identitetit të çdo kombi. Vetë gjuha shqipe është identiteti, historia dhe kujtesa jonë kombëtare. Për këtë arsyeje, çështja dhe statusi i saj institucional në Maqedoninë e Veriut lidhen me kërkesat për barazi politike, përfaqësim institucional dhe njohje të të drejtave kombëtare shqiptare në këtë shtet me karakter multietnik.
Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, mbrojtja e gjuhës shqipe historikisht ka qenë më shumë sesa një kërkesë kulturore; ka qenë një përpjekje për dinjitet, barazi dhe afirmim kombëtar. Në këtë vend, ku shqiptarët përbëjnë një të tretën e popullsisë së përgjithshme etnike, gjuha shqipe është një nevojë thelbësore institucionale dhe sociale, që do të duhet të sanksionohet në Kushtetutën e këtij shteti.
Në këtë kuptim, protestat e fundit në Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e gjuhës shqipe nuk duhen parë si reagime të zakonshme politike, por si vazhdimësi e një historie të gjatë rezistence, të kërkesave për njohje institucionale, barazi juridike dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar si popullsi autoktone.
Historia politike dhe kulturore e shqiptarëve është e lidhur ngushtë me mbijetesën, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Në periudha të ndryshme historike, veçanërisht në kushte të kufizimeve arsimore dhe politike, si pasojë e pushtimeve dhe ripushtimeve të stërzgjatura, luftërash të përgjakshme dhe diskriminimit kulturor, gjuha shqipe u ruajt falë sakrificave të mëdha familjare dhe kombëtare. Ajo u mbajt gjallë në oda, në libra që qarkullonin fshehurazi, në shkolla informale paralele dhe në traditën e rilindësve shqiptarë, të cilët ngritën zërin fuqishëm, se pa gjuhën shqipe nuk mund të ekzistojë as kombi.
Për këtë arsye, gjuha u pa jo vetëm si mjet komunikimi, por si element themelor i identitetit kombëtar dhe i vetëdijes kulturore shqiptare.
Aktualiteti dhe ndjeshmëria e çështjes së gjuhës shqipe u reflektuan qartë edhe në vizitën time në SHBA, kur në Maqedoninë e Veriut po zhvilloheshin protesta dhe mobilizime studentore lidhur me statusin dhe përdorimin institucional të gjuhës shqipe.
Gjatë qëndrimit tim në disa qytete të këtij shteti përtej Atlantikut pata mundësinë të vëzhgoj nga afër përpjekjet e mërgatës shqiptare për ruajtjen dhe transmetimin e gjuhës amtare te brezat e rinj.
Në një mjedis të karakterizuar nga ritmi intensiv i jetës dhe dominimi i gjuhës angleze në komunikimin e përditshëm, ruajtja e gjuhës shqipe paraqet një sfidë të vazhdueshme kulturore dhe identitare për familjet shqiptare në mërgatë. Angazhimi i prindërve mërgimtarë për përfshirjen e fëmijëve në mësimin e gjuhës shqipe dëshmon faktin, që gjuha shqipe vazhdon të jetë boshti kurrizor në ruajtjen e identitetit kulturor dhe lidhjeve me origjinën kombëtare.
Çdo fundjavë, fëmijë shqiptarë nga zona të ndryshme ku është integruar komuniteti shqiptar, mblidhen në shkollat shqipe për të mësuar jo vetëm alfabetin dhe gramatikën gjuhës shqipe, por edhe historinë, kulturën dhe ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Në këto klasa nuk zhvillohet vetëm një proces arsimor; aty ruhet identiteti shqiptar në kushtet e emigracionit dhe globalizimit kulturor.
Vëzhgimet në këto institucione tregojnë se pjesëmarrja e fëmijëve të lindur jashtë trojeve shqiptare përbën një formë të vazhdueshme të ruajtjes së lidhjes me origjinën etnike dhe gjuhësore. Në mesin e fëmijëve që ndjekin shkollat shqipe në mërgatë vëren raste të përvetësimit të shpejtë të gjuhës shqipe edhe në situata kur fëmijët kanë lindur jashtë hapësirës gjeografike shqiptare dhe kanë kaluar pjesën më të madh të socializimit në mjedise joshqiptare.
Një shembull të tillë e vura re në shkollën shqipe “Gjergj Fishta” në Nju-Jork, ku një nxënës i moshës shtatëvjeçare, i lindur në Greqi dhe i zhvendosur në SHBA, demonstronte aftësi të zhvilluara të komunikimit të gjuhës shqipe, pavarësisht kohës së shkurtër të përfshirjes në procesin mësimor.
Interpretimi aq rrjedhshëm prej tij i këngës “Jam një djalë prej Dukagjini” ishte një shembull domethënës, se si muzika si element kulturor funksionon si mjet i artikulimit të identitetit kombëtar.
Në këtë kontekst, mësuesit shqiptarë në mërgatë po luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e ruajtjes dhe të transmetimit të gjuhës shqipe te brezat e rinj. Në shumë raste, ky angazhim zhvillohet në kuadër të mësimit plotësues dhe shpesh mbështetet në iniciativa vullnetare, duke kontribuuar në vazhdimësinë e edukimit identitar jashtë sistemit formal arsimor, kudo që jetojnë.
Në këtë mënyrë, këta mësues përfaqësojnë një komponent të rëndësishëm të jetës kulturore të mërgatës shqiptare.
Përtej rolit të tyre pedagogjik, mësuesit e gjuhës shqipe në mërgatë janë kontribuues të rëndësishëm të ruajtjes kulturore dhe të transmetimit të identitetit kombëtar. Në kushtet e globalizimit dhe proceseve të migracionit që kanë ndodhur, të cilat shpesh ndikojnë në dobësimin e praktikimit të gjuhës shqipe të komuniteteve të emigrantëve, angazhimi i tyre ndihmon në ruajtjen e vazhdimësisë gjuhësore dhe kulturore identitare.
Në këtë aspekt, për mua, si mësuesit në mërgatë, ashtu edhe studentët shqiptarë që protestojnë për mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut janë heronj të kombit në ditët e sotme, heronj të gjuhës shqipe.
Pikërisht këtu qëndron edhe paralelja domethënëse e protestave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e gjuhës shqipe me mësuesit e shkollave shqipe në diasporë.
Dallimi kryesor ndërmjet mërgatës shqiptare dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut qëndron në faktin, se në mërgatë zhvillimi i gjuhës shqipe bëhet në kushte të vetëorganizimit të lirë, shpesh me mbështetjen e institucioneve të shteteve pritëse. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, statusi i gjuhës shqipe po stigmatizohet dhe po synohet që, në mënyrë shtetërore, të mos zbatohet. Në këtë mënyrë, këto dy modele paraqesin ndërveprime ndërmjet gjuhës, shtetit dhe komunitetit.
Gjuha shqipe, si gjuhë e rëndësishme e popullsisë autoktone në Maqedoninë e Veriut, në vetvete nuk është faktor destabilizues, por gjuha e një kombi autokton, pjesë e një strukture të pluralizmit gjuhësor dhe kulturor të këtij shteti.
Në literaturën mbi çështjet gjuhësore, respektimi dhe garantimi i të drejtave gjuhësore konsiderohet një element i rëndësishëm i funksionimit demokratik dhe i diversitetit shoqëror. Në të kundërtën, kufizimi ose moszbatimi i të drejtave gjuhësore ndikon në rritjen e perceptimeve të përjashtimit social dhe të dobësimit të qëllimshëm nga shteti maqedonas të kohezionit të identitetit shqiptar si kategori shtetformuese e Maqedonisë së Veriut.
Në kontekstin bashkëkohor të globalizimit dhe migracionit intensiv, ruajtja e gjuhës shqipe nuk është çështje emocionale, por, mbi të gjitha, përgjegjësi historike dhe kombëtare.
Angazhimi i prindërve shqiptarë në mërgatë për të çuar fëmijët e tyre me kilometra të tëra në shkollat shqipe gjat ë fundjavave, dëshmon rëndësinë që i jep mërgata ruajtjes së gjuhës amtare.
Ky angazhim përfshin investim të konsiderueshëm kohe dhe përpjekje, duke reflektuar funksionin qendror të familjes në transmetimin ndër breza të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar e kulturor.
Përdorimi i gjuhës shqipe nuk kufizohet vetëm në institucione formale, tekste shkollore apo dokumentet zyrtare, por shtrihet përtej tyre. Në këtë aspekt, gjuha duhet të analizohet si komponent i identitetit kombëtar dhe i kujtesës kolektive, e cila transmetohet dhe riprodhohet përmes ndërveprimeve shoqërore në kontekste të ndryshme gjeografike dhe sociale, siç është gjeografia e trojeve shqiptare.
Për këtë arsye, mbrojtja e gjuhës shqipe nuk duhet parë si një çështje e përkohshme politike, por si një përgjegjësi kombëtare që na përket të gjithëve. Sepse një popull që ruan gjuhën e vet, ruan historinë, kulturën dhe të ardhmen e tij. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse, edhe larg atdheut, edhe mes qyteteve më të mëdha të botës, ëndrrat tona vazhdojnë të flasin shqip.