Gashi në Vatikan takohet me Papën Leo

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, po udhëheq delegacionin shtetëror-kishtar në vizitën në Vatikan me rastin e Manifestimit Tradicional “Për nder të Shën Kirilit”.
Delegacioni i udhëhequr nga Gashi, i cili mori pjesë në Audiencën me Papën, përbëhet nga: koordinatorët e grupeve parlamentare Nikolla Micevski, Oliver Spasovski, Bekim Qoku; Zoran Lutkov, ministër i Kulturës; Marina Dimovska, sekretare e përgjithshme e Kuvendit; Fortlumturia e Tij Kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, imzot Stefani; mitropoliti i Dioqezës Evropiane, Pimen; mitropoliti i Dibrës dhe Kërçovës z. Georgij dhe Ati dr. Zoran Stojanov, përfaqësues i Kishës Katolike.
Gjatë Audiencës, Kryetari Gashi shprehu urime të sinqerta për përvjetorin e zgjedhjes së Papës Leo XIV dhe theksoi angazhimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për thellimin e marrëdhënieve tradicionale dhe miqësore me Selinë e Shenjtë. Takimi riafirmoi lidhjet historike dhe shpirtërore midis dy vendeve, të ndërtuara mbi trashëgiminë e Shën Kirilit dhe Metodit dhe figurën universale të Nënë Terezës.
Gjatë takimit, u theksua edhe rëndësia e promovimit të paqes, tolerancës, dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis popujve dhe feve, si vlera universale që kontribuojnë në stabilitet, solidaritet dhe bashkëjetesë në Evropë dhe më gjerë. Në këtë kontekst, Kryetari Gashi nënvizoi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet një shembull i bashkëjetesës ndëretnike, multikulturore dhe ndërfetare, me respekt të thellë për liritë fetare dhe rolin konstruktiv të bashkësive fetare në shoqëri.
Si pjesë e programit, Kryetari i Kuvendit u takua edhe me sekretarin shtetëror të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pjetro Parolin, ku u bisedua për avancimin e bashkëpunimit dypalësh, zhvillimin e dialogut institucional dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e kulturës, arsimit, shkencës arkivore dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore.

Pas takimeve në Vatikan, delegacioni vizitoi Bazilikën e Shën Pjetrit.
Papës Leo XIV iu dhurua një dhuratë “Pendë” – një skulpturë e bërë nga mermeri i Prilepit e punuar nga skulptori Andrej Mitevski, e cila përcjell mesazhin se penda – simboli i lirisë, spiritualitetit, lidhjes me sublimin, pendët e bashkuara ripërcaktojnë ligjet e fizikës, duke i mundësuar shqiponjës së fuqishme t’i arrijë lartësitë e paimagjinueshme. Nga penda lind penda – rritja e mendjes njerëzore, e zhvillon iluminizmin, përhap shkrim-leximin. Nga mendja më e mprehtë lind më e buta dhe ajo që ishte në fillim – fjala, arma më e fuqishme dhe ilaçi më i fortë për shpirtin. Si një dhuratë personale, Papës iu dhurua një Kavall nga mjeshtri Boban Anakiev. Kavali është një nga simbolet më të njohura të traditës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, një instrument, tingulli i të cilit ka treguar historinë e jetës, natyrës dhe shpirtit të njerëzve për shekuj me radhë. Melodia e tij është e qetë, e thellë dhe e sinqertë – një tingull që arrin tek të gjithë, pavarësisht nga gjuha, feja apo përkatësia etnike. Tingulli i kavallit, megjithëse i qetë, është gjithmonë një kujtesë e fuqishme se lidhjet e vërteta midis njerëzve krijohen përmes kulturës, artit dhe humanizmit.
Sekretarit shtetëror Pjetro Parolin iu dhurua një mozaik me motiv pallua – i përfaqësuar në Bazilikat e Stobit dhe Heraklesë, dhe sot në monedha në Maqedoni. Pallua është simboli i vlerës shpirtërore, ringjalljes, pavdekësisë, jetës së përjetshme, por edhe i shpresës, ripërtëritjes dhe dritës.
Programi përfundon me koncert të organizuar nga Ministria e Kulturës, në të cilin do të interpretojë kuarteti “Konsonans”.

Gashi në Vatikan takohet me Papën Leo

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo