Universiteti „ Shën Qirili dhe Metodi” shënon patronatin dhe 77-vjetorin e themelimit

Me akademi solemne dhe ndarjen e çmimeve për studentët më të mirë të diplomuar në vitin akademik 2024-2025, Universiteti „Shën Kirili dhe Metodi” sot shënoi 77-vjetorin e themelimit dhe festën e patronatit të tij – 24 Majin, Ditën e vëllezërve të shenjtë Qirili dhe Metodi. Krahas rektores së universitetit, Prof.Dr. Biljana Angellova, fjalim përshëndetës mbajti edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, e cila theksoi se UQM është një nga shtytësit më të mëdhenj jo vetëm të arsimit maqedonas, por edhe të shtetit në tërësi.
“Gjenerata të tëra studentësh, duke u kalitur nëpër amfiteatrot dhe auditorët e fakulteteve, janë bërë profesionistë të shkëlqyer në fusha të ndryshme, janë bërë shkencëtarë, inxhinierë, profesorë, mjekë, artistë dhe janë integruar në proceset shoqërore, ndërsa disa prej tyre edhe i kanë udhëhequr ato. Në fakt, kjo është edhe vlera më e madhe e universitetit – kuadrot që me dijen, punën dhe përkushtimin e tyre kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e shtetit”, tha Janevska, duke theksuar se është krenare që edhe vetë, si njeri dhe profesioniste, është formuar në këtë institucion, e më pas ka dhënë kontribut në përmbushjen e misionit të tij arsimor dhe shkencor.

Janevska theksoi se rëndësia e UQM-it vazhdon të rritet, ashtu siç rritet edhe rëndësia e të gjitha universiteteve të tjera, sepse, siç tha ajo, edhe sot mbetet e pakontestueshme teza shekullore se arsimi, përkatësisht dija, është mjeti më i fuqishëm për përparimin personal dhe shoqëror. Vetëm me dije merren vendime të mençura dhe të drejta, si dhe krijohen inovacione që e çojnë botën përpara.

“Është e rëndësishme që arsimi të përshtatet me trendet globale dhe standardet e cilësisë, dhe jam e sigurt se UQM është i përkushtuar ndaj kësaj dhe se, si edhe deri më tani, do të marrë mbështetjen e nevojshme nga shteti. Të paktën nga kjo Qeveri, e cila ecën fuqishëm në rrugën e arsimit dhe shkencës dhe, për vetëm dy vite, ka siguruar buxhet rekord për këto dy fusha. Ndërsa konkretisht, mjetet që ky universitet i merr janë rritur nga 3 miliardë denarë në vitin 2024 në pothuajse 5 miliardë denarë këtë vit”, informoi Janevska.

Ajo tha se është e kënaqur që MASH dhe UQM kanë ndërtuar marrëdhënie partneriteti dhe bashkëpunojnë shkëlqyeshëm. Ajo shprehu mirënjohje për ndihmën në përgatitjen e zgjidhjeve të reja për avancimin e rregullativës ligjore, për kontributin në realizimin e objektivave të Strategjisë për specializim intelegjent dhe për angazhimin në realizimin e më shumë projekteve kërkimore-shkencore me interes për shtetin dhe opinionin. Megjithatë, ajo kërkoi edhe angazhim shtesë nga ky institucion i arsimit të lartë.
„Kjo shoqëri ka sfida që nuk ndalen dhe nuk do të kalojnë vetvetiu. Për shembull, dhuna mes bashkëmoshatarëve në shkolla. Ngritja e vetëdijes për mbrojtjen e mjedisit dhe respekt më i madh për të mirat e përbashkëta. Ndarjet e ndryshme mes qytetarëve, veçanërisht ato mbi baza etnike. Ruajtja e identitetit kulturor dhe kombëtar në një botë të globalizuar. E kështu me radhë. Pikërisht në tejkalimin e këtyre sfidave ekziston hapësirë për përfshirje më të madhe tuajën. Ju lusim që ta pranoni këtë thirrje. Përgjegjësia është e përbashkët dhe e barabartë për të gjithë ne që kemi fuqinë të ndikojmë dhe t’i ndryshojmë gjërat për mirë”, tha Janevska.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo