Galdini: E drejta për të lindur politikisht!

Nga Arian Galdini

Shqipëria nuk ka vuajtur vetëm nga zgjedhjet e këqija.

Ka vuajtur nga hyrjet e ruajtura.

Ka paguar për vota të numëruara keq, por edhe për zëra që nuk u lejuan të arrinin deri te vota.

Ka paguar për qeverisje të padrejta, por edhe për mundësi politike të mbyllura përpara se qytetari të kishte rastin t’i gjykonte vetë.

Në shumë kthesa të jetës sonë publike, pushteti nuk ka ruajtur vetëm rezultatin.

Ka ruajtur udhën drejt rezultatit.

Nuk ka kontrolluar vetëm karrigen.

Ka kontrolluar derën.

Kjo është një nga plagët më të vjetra të Republikës sonë, leja që vishet si rend.

Prandaj çdo reformë zgjedhore duhet parë më thellë se formula.

Një reformë nuk bëhet demokratike nga fjalët që përdor.

Bëhet demokratike nga jeta politike që hap.

Nuk matet vetëm ditën kur vota hidhet në kuti, as vetëm çastin kur numrat rreshtohen në tabelë.

Matet më herët, aty ku qytetari kupton cilat alternativa i paraqiten si të mundshme dhe cilat ndalen para tij ende pa u bërë garë.

Në një vend ku fusha është e lirë, një rregull mund të jetë masë.

Në një vend ku fusha është e pabarabartë, i njëjti rregull mund të bëhet mur.

Kjo është prova që i duhet bërë çdo sistemi zgjedhor, jo sa bukur tingëllon në letër, por çfarë bën mbi jetën reale të qytetarit, jo çfarë premton si barazi, por kujt ia hap dhe kujt ia ruan hyrjen.

Barazia e votës nuk është vetëm aritmetikë pas kutisë.

Është barazi e mundësisë para kutisë.

Një votë nuk bëhet e barabartë vetëm sepse numërohet në një hartë kombëtare.

Bëhet e barabartë kur alternativa që e kërkon ka pasur mundësinë të arrijë te qytetari pa u varur nga porta e atyre që tashmë zotërojnë sallën.

Edhe sistemi më i rregullt në dukje mund të humbasë drejtësinë, nëse vendoset mbi një fushë ku ekrani, paraja, administrata dhe emri i trashëguar e kanë zënë vëmendjen përpara se qytetari të dëgjojë.

Kur gara zhvendoset nga lidhja konkrete me njeriun te fuqia e vjetër e shfaqjes, formula mund të premtojë barazi dhe prapë të mbulojë pabarazi.

Teknika mund të ndryshojë emër, proporcional kombëtar, listë e hapur, koalicion, administrim, numër deputetësh. Secila mund të tingëllojë e arsyeshme kur merret veçmas.

Por të gjitha duhen gjykuar nga e njëjta pyetje, a e zgjeron, rrit, thellon, përforcon, persos, hapësirën e lirisë, demkracisë e zgjedhjes për qytetarin, apo vetëm rregullon mbylljen?

Lista që hap emrat, por nuk hap hyrjen, koalicioni që premton bashkim, por detyron strehim, administrimi që pastron tavolinën, por jo fushën, Kuvendi që mund të zvogëlohet, por nuk liron udhën drejt tij, të gjitha mund ta lënë demokracinë me formë më të rregullt dhe me lindje më të ngushtë.

Prej kohësh, politika shqiptare ka ditur t’i ndërrojë format e lejes pa hequr dorë nga leja vetë.

Këtu qëndron çështja e pragut.

Pragu nuk është çështje numri.

Është çështje pushteti.

Në një fushë të lirë, pragu mund të jetë rregull pas votës.

Në një fushë të mbyllur, ai bëhet pushtet para votës.

Ai nuk mat vetëm sa të ndoqën, mat edhe sa u lejove të arrish.

Ai nuk vendos vetëm kush hyn në Kuvend, vendos, shumë më herët, kush ka mundësi të bëhet i pranishëm në vetë gjykimin e qytetarit.

Në Shqipëri, pushteti nuk e ka ruajtur gjithmonë vetëm votën.

Shpesh ka ruajtur hyrjen drejt votës.

E ka bërë me fjalë të ndryshme, me forma të ndryshme, me ligjërime të ndryshme, por me të njëjtën dorë të vjetër, ta quajë rend atë që në thelb është leje e kontrolluar.

Një subjekt mund të jetë i vogël jo sepse është i panevojshëm, por sepse është i padëgjuar.

Mund të jetë i brishtë jo sepse nuk mban ide, por sepse nuk i është dhënë hapësirë të provojë trupin e vet.

Mund të qëndrojë jashtë jo sepse vjen nga një botë e ndotur, por sepse hyrja është ruajtur nga ata që e quajnë veten roje të rendit.

Mos e quani errësirë atë që vetë e keni mbajtur jashtë dritës.

Demokracia nuk dobësohet kur qytetarit i hapen rrugë të reja për përfaqësim.

Dobësohet kur pakënaqësia e tij lihet pa formë, pa institucion dhe pa derë.

Një vend nuk rrezikohet nga lindja e alternativave të reja, rrezikohet kur e reja, e penguar të hyjë në institucion, endet jashtë tij si zemërim, si mosbesim, si dorëzim.

Stabiliteti është vlerë kur mbështetet mbi besim.

Kur mbështetet mbi mbyllje, është vetëm heshtje e rregulluar.

Një vend nuk bëhet më i qëndrueshëm duke e penguar të renë të lindë.

Bëhet më i qëndrueshëm kur pakënaqësia mund të kthehet në përfaqësim, në institucion, në përgjegjësi.

LRE Rinisja e njeh këtë jo si teori, por si përvojë.

Jo për të kërkuar përjashtim nga rregulli, por për të dëshmuar se kur hyrja ruhet, qytetarit i hiqet një rrugë për ta kthyer pakënaqësinë në përfaqësim.

Shqipëria nuk ka nevojë për një reformë që i jep përjashtimit një pamje më të rregullt.

Ka nevojë për një reformë që hap fushën përpara se të vendosë pragun, sepse qytetari nuk është vetëm dorë që hedh votën, është ndërgjegje që gjykon, vullnet që kërkon formë dhe burim prej nga Republika përtërihet.

Një vend nuk bëhet Republikë kur qytetari lejohet vetëm të votojë.

Bëhet Republikë kur qytetari ka të drejtë të lindë politikisht.

Pragu, në fund, nuk është numër.

Është vendi ku Republika tregon nëse i beson kësaj lindjeje, apo vetëm atyre që kanë mësuar prej kohësh të flasin në emër të saj.

Një reformë që e mbyll këtë hyrje nuk shëron zgjedhjet, i jep formën e ligjit frikës më të vjetër të politikës sonë, frikës se qytetari, po të lihet i lirë, mund të sjellë në jetë diçka tjetër.

Arian Galdini

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo