​Paralajmërohet heqja e bllok-tarifave: Rryma mund të shtrenjtohet deri në 34%

Kryetari i ri i Komisionit Rregullator për Energjetikë , Aco Ristov, deklaroi se po analizohet metoda e llogaritjes së faturave të energjisë elektrike, e cila aktualisht bazohet në grupe të veçanta të konsumatorëve përmes bllok-tarifave. Sipas Ristov, po kërkohet një “zgjidhje më e drejtë” për pagesën e rrymës së shpenzuar, pasi ai konsideron se ka hapësirë për ndryshime, meqenëse qytetarët tani paguajnë çmime të ndryshme për të njëjtin produkt.
​”Është e mundur të vendosim një model të ri, më të drejtë.

Është e padrejtë që e njëjta rrymë të paguhet me çmime të ndryshme. Nuk mund të ekzistojnë disa çmime për të njëjtin produkt. Do të shqyrtojmë përvojat e deritanishme dhe do të bëjmë analizë,” deklaroi Ristov.

​Katër bllok-tarifat për energjinë elektrike në Maqedoni u vendosën nga qeveria e kaluar në vitin 2022. Qëllimi, siç u shpjegua atëherë, ishte mbrojtja dhe stimulimi i konsumatorëve të vegjël, amortizimi i goditjes së çmimeve nga kriza energjetike e asaj kohe dhe inkurajimi i kursimit.
​Ekspertët: Do të përfitojnë të pasurit, do të goditen të varfrit

​Sipas vlerësimeve të ekspertëve, energjia elektrike mund të shtrenjtohet drastikisht me ndryshimin e paralajmëruar. Më së shumti pritet të përfitojnë konsumatorët e mëdhenj, të cilët deri më tani paguanin çmimin më të lartë për kilovat-orë. Nga ana tjetër, kjo do të godiste familjet që shpenzojnë më pak rrymë, ndërsa më të rrezikuarit do të ishin pensionistët dhe personat që jetojnë vetëm.

​Deniz Mustafaoglu nga Shoqata e Inxhinierëve të Energjetikës, në një deklaratë për TV “24”, thotë se deklarata e Ristov për heqjen e bllok-tarifave i duket e paargumentuar dhe dyshon se ky mendim ndahet nga anëtarët e tjerë të Komisionit.
​”Kryetari i KRRE-së po përpiqet t’i bëjë qejfin EVN-së, që të mund të vazhdojë të lëshojë fatura që nuk janë reale me energjinë e shpenzuar. Ai dëshiron t’i thjeshtojë gjërat duke vendosur një çmim mesatar të rrymës. Kur bëmë vlerësimet, doli se do të kemi rrymë për 34 përqind më të shtrenjtë,” thotë Mustafaoglu.

​Reagimi i partisë “E Majta” (Levica)
​Partia “E Majta” konsideron se ndryshimet e propozuara do të godasin drejtpërdrejt qytetarët më të varfër. Sipas tyre, me heqjen e bllok-tarifave, energjia elektrike do të trajtohet si mall klasik tregu me çmim unik.

​”Nëse KRRE merr një vendim të tillë, kjo do të jetë goditje direkte mbi më të varfrit. Sipas llogaritjeve, një familje që kursen rrymë dhe mbetet në bllokun e parë, do të paguante deri në një të tretën çmim më të lartë në nivel vjetor,” thonë nga kjo parti.
​Partia gjithashtu akuzon se Ristov po vihet në shërbim të kapitalit privat dhe në anën e “EVN Home”. Në reagim theksohet gjithashtu se KRRE nuk i është qasur problemit të faturave pa lexim real të sahatit, as mundësisë për zgjerimin e tarifës së lirë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo