Qeveria libaneze nuk synon përplasje me Hezbollahun, por as nuk do të tërhiqet përballë presionit të tij. Kështu u shpreh kryeministri Nawaf Salam gjatë një konference të përbashkët me presidentin francez Emmanuel Macron, në një moment kur armëpushimi me Izraelin mbetet i brishtë.
Salam theksoi se prioriteti i qeverisë së tij është forcimi i shtetit, duke deklaruar se “nëse do të më duhej ta përmblidhja me pak fjalë objektivin kryesor të qeverisë sime, ai do të ishte: ta ngrejë shtetin përsëri në këmbë”.
“Një shtet sovran nuk mund të ekzistojë pa monopolin e armëve”, u shpreh kryeministri duke theksuar nevojën për kontroll shtetëror mbi armët.
Nga ana tjetër, blloku politik i Hezbollahut ka riafirmuar “angazhimin e tyre të kujdesshëm” ndaj armëpushimit me Izraelin, por kritikon qeverinë për ndjekjen e “një rruge lëshimesh dhe nënshtrimi ndaj vullnetit të armikut”.
Tensionet u rritën pasi Hezbollahu qëlloi me raketa ndaj forcave izraelite, ndërsa Izraeli u kundërpërgjigj duke shënjestruar raketahedhësit e grupit.
Megjithatë, qeveria libaneze mbetet e angazhuar në rrugën diplomatike. Salam deklaroi se gjatë negociatave të ardhshme vendi i tij do të kërkojë “tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Libani, kthimin e të burgosurve libanezë… dhe kthimin e personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre”.
Në këtë kontekst, presidenti francez Emmanuel Macron premtoi mbështetje për Bejrutin, duke u zotuar se do ta ndihmojë qeverinë libaneze “sa më shumë që të mundet” përpara raundit të ri të bisedimeve me Izraelin.