Izraeli njoftoi dje në mbrëmje se ka kryer sulme të reja ndaj objektivave në Liban, pavarësisht një armëpushimi në fuqi, ndërsa Uashingtoni konfirmoi një raund tjetër bisedimesh në nivel ambasadorësh, mes dy vendeve fqinje armiqësore.
“Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) do të presë të enjten një raund të ri negociatash mes Izraelit dhe Libanit”, bëri të ditur një zëdhënës në Uashington.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin angazhimin produktiv që nisi më 14 prill,” tha ai, duke iu referuar takimeve të mëparshme mes ambasadores së Libanit në SHBA, Nada Hamadeh Moawad, dhe ambasadorit izraelit, Yechiel Leiter.
Në bisedimet në Uashington ishte i pranishëm edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke shënuar takimin e parë të drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve të të dy vendeve pas disa dekadash.
Një armëpushim 10-ditor hyri në fuqi të premten në Liban, me synimin për ndalimin e përplasjeve mes Izraelit dhe milicisë Hezbollah, e mbështetur nga Irani, të cilat u rindezën pas nisjes së luftës me Iranin.
Qeveria libaneze dhe forcat e saj nuk janë përfshirë drejtpërdrejt në konflikt.
Megjithatë, dhuna ka vijuar. Trupat tokësore izraelite mbeten të dislokuara në jug të Libanit, në të ashtuquajturën “zonë sigurie”, që sipas Izraelit synon mbrojtjen e qyteteve veriore nga sulmet e Hezbollahut.
Udhëheqja libaneze e konsideron këtë si pushtim të territorit të saj.
Ushtria izraelite njoftoi se gjatë natës kishte goditur një platformë lëshimi raketash në jug të Libanit, e cila sipas saj ishte gati për përdorim dhe përbënte “kërcënim të drejtpërdrejtë” për komunitetet në veri të Izraelit dhe për trupat ushtarake.
Nga ana tjetër, burime të sigurisë në Liban raportuan për bombardime izraelite në tre qytete pranë kufirit deri në mesditën e djeshme, si dhe për zjarr artilerie në një tjetër zonë kufitare.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite konfirmoi raportimet në mbrëmje, duke theksuar se veprimet ishin në kuadër të vetëmbrojtjes.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli lejohet të ndërmarrë masa të nevojshme për vetëmbrojtje ndaj sulmeve të planifikuara apo të menjëhershme.
Më vonë gjatë ditës, Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se gjashtë persona ishin plagosur nga një sulm izraelit në provincën Nabatieh, ndërsa një zëdhënës izraelit e mohoi këtë incident, duke thënë se nuk kishte informacion për një sulm të tillë.
Ushtria izraelite raportoi gjithashtu dy operacione, ku sipas saj janë “eliminuar terroristë” që kishin shkelur armëpushimin dhe ishin afruar pranë trupave në jug të Libanit, duke përbërë kërcënim të menjëhershëm.
Ndërkohë, Hezbollahu njoftoi se gjatë natës kishte goditur mjete të blinduara izraelite me mjete shpërthyese të vendosura më herët në zonë.
Ushtria izraelite konfirmoi dëmtimin e një mjeti të blinduar, pa raportime për të plagosur.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i sheh negociatat e drejtpërdrejta si rrugën drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje me Libanin dhe kërkon çarmatimin e Hezbollahut.
Nga ana e tij, Bejruti kërkon një armëpushim afatgjatë dhe tërheqjen e trupave izraelite nga jugu i vendit.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun deklaroi se negociatat synojnë përfundimin e armiqësive, dhënien fund të pushtimit izraelit të territoreve jugore dhe rishpërndarjen e ushtrisë deri në kufijtë jugorë të njohur ndërkombëtarisht.
Ai theksoi gjithashtu se bisedimet dypalëshe me Izraelin do të zhvillohen vetëm përmes një delegacioni të udhëhequr nga ish-ambasadori në Uashington, Simon Karam, një lëvizje që vëzhguesit e shohin si një përpjekje për të shmangur çdo ndërhyrje të mundshme të Iranit në emër të qeverisë libaneze.
Aoun shtoi se gjatë një bisede telefonike të fundit, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur mirëkuptim për kërkesat e Libanit dhe ka ndërhyrë te Izraeli për të lehtësuar armëpushimin dhe për të hapur rrugën për negociata.
Sipas tij, kontaktet me Uashingtonin do të vazhdojnë për të ruajtur armëpushimin dhe për të mundësuar dialogun, ndërsa negociatat e ardhshme duhet të jenë të ndara qartë nga zhvillimet e tjera rajonale.
Libani, së fundmi është distancuar nga ndikimi iranian dhe synon një armëpushim të qëndrueshëm të pavarur nga lufta me Iranin.