Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka bërë thirrje për masa të shpejta për të ulur konsumin e karburanteve për shkak të krizës së shkaktuar nga lufta në Iran
Sipas saj, sektori i transportit përbën rreth 45% të konsumit global të naftës, ndaj ndryshimet në këtë fushë mund të japin efekt të menjëhershëm.
IEA rekomandon masa praktike si ulja e kufizimeve të shpejtësisë, puna nga shtëpia, reduktimi i fluturimeve dhe përdorimi më i gjerë i transportit publik.
Sipas agjencisë, edhe një ulje prej rreth 10 km/h e kufizimeve të shpejtësisë në autostrada mund të ndikojë në reduktimin e konsumit të karburantit si për transportin e pasagjerëve, ashtu edhe për atë të mallrave.
Gjithashtu, masa si kufizimi i qarkullimit të makinave në qytete (p.sh. sipas targave çift-tek) mund të ndihmojnë në uljen e trafikut dhe konsumit të karburantit.
Agjencia thekson gjithashtu përmirësimin e eficiencës në drejtim dhe në transportin e mallrave, si dhe reduktimin e udhëtimeve ajrore si mënyra për të ulur kërkesën për naftë gjatë krizës. Sipas IEA-s, masat e synuara janë më efektive se subvencionet e gjera shtetërore, duke u mbështetur në përvojat nga krizat e mëparshme.
Ndërkohë, vendet anëtare të IEA kanë nisur lirimin e rezervave strategjike të naftës për të përballuar rritjen e çmimeve. Sipas agjencisë, këto rezerva përfshijnë kryesisht naftë bruto, ndërsa një pjesë nga Evropa vjen në formë produktesh të rafinuara. Pak ditë më parë, IEA vendosi të nxjerrë në treg rreth 426 milionë fuçi naftë nga rezervat emergjente, me qëllim stabilizimin e tregut dhe zbutjen e rritjes së çmimeve të shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme./Marrë nga DW