Të mërkurën u mbajt në Brazili Sesioni për Brazilin i Dialogut Global “Kina në Pranverë – Zhvillimi i Kinës Sjell Mundësi për Botën”, i organizuar bashkërisht nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe Ambasada e Kinës në Brazil.
Presidenti i CMG, Shen Haixiong dhe Ministri i Shëndetësisë i Brazilit Alejandro Padilla mbajtën videofjalime në aktivitet. Gjithashtu ishin të pranishëm dhe mbajtën fjalime Ambasadori i Kinës në Brazil Zhu Qingqiao, Sekretari Ekzekutiv i Departamentit të Marrëdhënieve Institucionale të Presidencës së Brazilit Marcelo Costa dhe personalitete të tjera. Rreth 120 të ftuar nga qarqet politike, akademike dhe mediatike braziliane morën pjesë në aktivitet.
Në fjalimin e tij, Shen Haixiong tha se Presidenti Xi Jinping theksoi gjatë Dy Sesioneve nevojën për të zgjeruar hapjen në nivel të lartë, për të eksploruar gjerësisht tregjet globale dhe për t’u lidhur më mirë me ciklin ekonomik ndërkombëtar. Kjo tregon edhe një herë vendosmërinë e fortë të Kinës se “dera e hapur e saj do të hapet edhe më shumë”.
Në sesionin e këtij viti u miratuan dokumente të rëndësishme, përfshirë projektin e Planit të 15-të Pesëvjeçar, ku përcaktohen 20 tregues kryesorë dhe 109 projekte të mëdha në gjashtë aspekte për pesë vitet e ardhshme. Gjithashtu u paraqit edhe objektivi i rritjes së parashikuar të PBB-së Kinës prej 4.5%~5% në vitin 2026. Zhvillimi i Kinës nuk mund të ndahet nga bota, ndërsa lulëzimi i botës ka nevojë për Kinën. Plani i Kinës për zhvillim me cilësi të lartë, i ofron edhe botës një “listë të re mundësish”. Kina, ky “oaz sigurie”, po krijon vazhdimisht mundësi të reja zhvillimi, theksoi Shen.
Ai shtoi se CMG është e gatshme të shfrytëzojë avantazhet e saj në integrimin e transmetimeve, në novacionin teknologjik dhe në burimet mediatike, që të nxisë favorizimin e botës me rezultatet e modernizimit kinez, përfundoi Presidenti i CMG-së.
Ambasadori i Kinës në Brazil Zhu Qingqiao tha se Plani i 15-të Pesëvjeçar është plani i ri i zhvillimit të Kinës dhe gjithashtu vizioni i ri i bashkëpunimit me fitime të përbashkëta. Tregu kinez super i madh do të hapet më tej dhe t’u ofojë vendeve të ndryshme më shumë raste bashkëpunimi.
Ministri i Shëndetësisë i Brazilit Alejandro Padilla tha në videofjalim se Brazili dhe Kina kanë pasur rezultate frytdhënëse në bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë. Ndërsa në vitin 2026, të dyja palët do të thellojnë bashkëpunimin veçanërisht në teknologjinë biologjike, në vaksinat dhe në pajisjet mjekësore, në ndihmë të modernizimit të sistemit të shëndetësisë publike të vendit të tij.
Sekretari Ekzekutiv i Departamentit të Marrëdhënieve Institucionale të Presidencës së Brazilit Marcelo Costa, tha se Brazili dhe Kina kanë ngulur këmbë në zhvillimin e bashkërenduar, duke lidhur thellësisht nismën “Një brez, një rrugë” me strategjitë e zhvillimit të Brazilit.
Në veprimtari u paraqit edhe emisioni i parë i programit të kulturës industriale në shkallë të gjerë të CMG-së, “Kronika e Zanateve Kineze”.