Në portin e rëndësishëm të naftës Fujairah në Emiratet e Bashkuara Arabe ka shpërthyer një zjarr pas një sulmi me dron. Autoritetet njoftuan se mbrojtja kundërajrore e ka interceptuar mjetin fluturues, ndërsa pjesë të tij kanë rënë në zonën e portit.
Zyra e qeverisë së emiratit Fujairah njoftoi se mbrojtja civile lokale po punon për shuarjen e zjarrit që shpërtheu për shkak të “rënies së mbetjeve pas interceptimit të suksesshëm të dronit nga mbrojtja kundërajrore”. Autoritetet thonë se në incident nuk ka pasur të lënduar.
Bloomberg raportoi më herët se pas sulmit me dron dhe shpërthimit të zjarrit, një pjesë e operacioneve të ngarkimit të naftës në portin Fujairah është ndërprerë përkohësisht.
Fujairah është një nga vendet më të mëdha për ruajtjen e naftës në Lindjen e Mesme dhe një pikë kyçe për furnizimin e anijeve me karburant. Porti ndodhet në Gjirin e Omanit, dhe jo në Gjirin Persik, që do të thotë se anijet që ankorohen aty nuk kanë nevojë të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Kjo ngushticë, përmes së cilës zakonisht kalon një pjesë e madhe e tregtisë botërore të naftës, praktikisht është mbyllur për trafikun detar që nga fillimi i luftës para dy javësh. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet tym i dendur që ngrihet mbi kompleksin në bregun lindor të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sulmi vjen pasi Garda Revolucionare Iraniane deklaroi se interesat amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë portet, doket dhe objektet ushtarake, janë bërë objektiva legjitime. Teherani e tha këtë pas sulmeve amerikane ndaj ishullit iranian Harg, një pikë kyçe për eksportin e naftës iraniane dhe një pjesë shumë e rëndësishme e ekonomisë së Iranit.
🇮🇷🇦🇪 Multiple Iranian kamikaze drones struck the Fujairah Oil Industry Zone (FOIZ) today, with footage showing two large plumes of fire rising from the site. pic.twitter.com/QBHQCnvEsJ
— Egypt’s Intel Observer (@EGYOSINT) March 14, 2026