Sri Lanka riatdheson trupat e 84 marinarëve iranianë të vrarë në sulmin amerikan

Zyrtarët e Sri Lankës kanë bërë të ditur se trupat e 84 marinarëve iranianë të vrarë në një sulm amerikan në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve jugore të Sri Lankës po kthehen në vendin e tyre, transmeton Anadolu.

Duke cituar zyrtarë, Daily Mirror raportoi se deri më tani 45 trupa nga një strukturë frigoriferike në Galle, një qytet në jug të Sri Lankës, janë transportuar në Aeroportin Ndërkombëtar Mattala Rajapaksa në përgatitje për transportim ajror.

Kryegjyqtari i qytetit Galles, Sameera Dodangoda, të mërkurën urdhëroi autoritetet spitalore të dorëzojnë trupat e marinarëve në ambasadën iraniane në Kolombo.

Marinarët janë midis atyre që u vranë pasi një nëndetëse amerikane goditi me torpedo anijen luftarake iraniane IRIS Dena në Oqeanin Indian më herët këtë muaj. Marina e Sri Lankës nisi një mision shpëtimi pas incidentit.

Ushtria e Iranit tha se 104 marinarë u vranë në sulm. Autoritetet e Sri Lankës thanë se nxorën 84 trupa nga uji dhe shpëtuan 32 marinarë, ndërsa të tjerët mbeten të zhdukur.

Disa ditë më vonë, Sri Lanka evakuoi 208 anëtarë të ekuipazhit nga një anije e dytë iraniane, IRIS Bushehr, pasi anija kërkoi ndihmë nga Kolombo.

Të dy anijet po ktheheshin nga stërvitjet detare Milan Peace 2026 në Indi.

Sri Lanka u ka ofruar viza njëmujore marinarëve të shpëtuar.

Mbetjet dhe fuçitë e naftës nga anija e fundosur IRIS Dena më vonë dolën në breg përgjatë pjesëve të vijës bregdetare jugore të Sri Lankës, sipas mediave lokale, duke nxitur përpjekje pastrimi dhe monitorim mjedisor.

Tensionet rajonale u rritën pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, i cili sipas Teheranit vrau më shumë se 1.300 njerëz, përfshirë ish-liderin suprem iranian, Ali Khamenei dhe dhjetëra nxënëse shkolle.

Irani që atëherë është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.

Irani gjithashtu ka mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit që nga 1 marsi. Rruga ujore transporton rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë dhe afërsisht 20 për qind të tregtisë globale të gazit natyror të lëngshëm.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo