Trump: Kombëtarja e Iranit është e mirëpritur në Kupën e Botës, por ndoshta nuk është e përshtatshme të vijnë
Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se Kombëtarja e Iranit është e mirëpritur të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, por sipas tij do të ishte më mirë që ekipi iranian të mos udhëtojë për arsye sigurie.
“Ekipi kombëtar i futbollit iranian është i mirëpritur në Kupën e Botës, por unë vërtet nuk mendoj se është e përshtatshme që ata të jenë atje, për sigurinë e tyre”, shkroi Trump në rrjetin social Truth.
Deklarata e tij vjen një ditë pasi ministri iranian i sportit, Ahman Donyamali, tha se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet që Irani të marrë pjesë në Botëror, pas tensioneve të fundit në rajon dhe vrasjes së udhëheqësit suprem të vendit, Ali Khamenei, në një ofensivë izraelito-amerikane të nisur më 28 shkurt.
“Pasi qeveria e korruptuar vrau udhëheqësin tonë, nuk ka kushte që do të na lejonin të merrnim pjesë në Kupën e Botës. Na janë imponuar dy luftëra në tetë ose nëntë muaj dhe mijëra qytetarë tanë kanë vdekur. Prandaj, nuk kemi mundësi për një pjesëmarrje të tillë”, deklaroi Donyamali.
Ndërkohë, presidenti i FIFA, Gianni Infantino, u takua këtë javë me Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku u diskutua edhe çështja e pjesëmarrjes së Iranit në turne.
“Diskutuam situatën aktuale në Iran dhe faktin që ekipi iranian është kualifikuar për Kupën e Botës 2026. Gjatë bisedës, Presidenti Trump përsëriti se ekipi iranian është i mirëpritur të garojë në turneun në Shtetet e Bashkuara”, shkroi Infantino në Instagram.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, duke nisur më 11 qershor.