Irani ka goditur dhe djegur dy tankera në ujërat irakiane pasi intensifikoi sulmet e tij ndaj objekteve të naftës dhe transportit në të gjithë Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se çmimi i naftës mund të rritet deri në 200 dollarë për fuçi, gjë që bie ndesh me pohimin e Donald Trump se SHBA-ja tashmë e ka fituar luftën.
Nga sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit deri më tani kanë mbetur të vrarë pothuajse 2,000 civilë, ndërsa tregjet globale të energjisë dhe transporti janë hedhur në kaos.
Në një tubim në Kentucky, Trump tha se SHBA-ja e ka fituar luftën, por nuk dëshiron të kthehet çdo dy vjet.
”Ne nuk duam të largohemi para kohe. Duhet ta përfundojmë punën,” tha Trump.
Çmimet globale të naftës arritën sërish në 100 dollarë për fuçi këtë mëngjes, duke u rritur me pothuajse 10% krahasuar me dje, për shkak të frikës së përtërirë për ndërprerje të furnizimit.
Anijet iraniane të mbushura me eksploziv sulmuan dy tankera në ujërat irakiane, me ç’rast ata u përfshinë nga flakët dhe një person humbi jetën. Kjo pason sulmin e djeshëm ndaj tre anijeve cargo në ujërat e Gjirit. Irani gjithashtu sulmoi tankera në Bahrein dhe një depo nafte në Oman.
Autoritetet iraniane e kanë bërë të qartë se synojnë të imponojnë një goditje të zgjatur ekonomike ndërsa lufta vazhdon, ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë njoftoi se 32 vende kanë rënë dakord të çlirojnë 400 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike globale për të stabilizuar çmimet, që është ndërhyrja më e madhe e tillë në histori.
”Ky vendim do të ulë ndjeshëm çmimet e naftës ndërsa ne i japim fund këtij kërcënimi për Amerikën dhe botën,” tha Trump.
Deri më tani nuk ka shenja se anijet mund të lundrojnë të sigurta përmes Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon një e pesta e naftës botërore. Një zëdhënës i ushtrisë iraniane deklaroi dje se kalimi është “padyshim nën kontrollin e Iranit”, ndërsa grupi G7, i cili përfshin SHBA-në, Kanadanë, Japoninë, Italinë, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën, ra dakord të shqyrtojë opsionet për sigurimin e anijeve në mënyrë që ato të lëvizin lirshëm në Gji.
”Ngushtica është në gjendje të shkëlqyer. Ne i shkatërruam të gjitha anijet iraniane. Ata kanë ende disa raketa, por jo shumë,” tha Trump.