Tre persona janë arrestuar në Britani, për spiunazh me Kinën.
Një nga tre personat e arrestuar nën dyshimin për spiunazh me Kinën është David Taylor, bashkëshorti i deputetes në detyrë të Partisë Laburiste, Joani Reid.
Reid tha në një deklaratë për Sky News se nuk ka parë asgjë që ta bëjë të dyshojë se bashkëshorti i saj ka shkelur ndonjë ligj.
Ajo shtoi se nuk është pjesë e aktiviteteve të biznesit të tij dhe se as ajo, as fëmijët e saj nuk janë pjesë e hetimit, duke kërkuar që mediat të respektojnë privatësinë e familjes së saj.
Deputetja theksoi se nuk ka qenë kurrë në Kinë, nuk ka diskutuar asnjëherë për çështje që lidhen me Kinën në Dhomën e Komunave dhe nuk ka takuar asnjë diplomat apo përfaqësues kinez në detyrë zyrtare.
“Unë jam një socialdemokrate që beson në lirinë e shprehjes, sindikatat e lira dhe zgjedhjet e lira. Nuk jam asnjë lloj admiruese e Partisë Komuniste Kineze,” shtoi Reid.
Joani Reid, mbesa e sindikalistit të njohur ndërkombëtarisht Jimmy Reid, u zgjodh për herë të parë në parlament gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2024, pas një karriere tetëvjeçare si këshilltare në lagjen Lewisham.
Bashkëshorti i saj, David Taylor, është i regjistruar në regjistrin e interesave të deputetit si drejtor i Earthcott Limited, një firmë lobimi.