Si e humbi “Nike” Lionel Messin për vetëm disa qindra dollarë?
“Nike” e humbi Messin në vitin 2006 për të kursyer disa qindra dollarë.
Bashkë me të, përfundoi duke humbur miliarda në të ardhura potenciale.
Kjo është historia se si u krijua një nga partneritetet më ikonike në sport, ai mes Lionel Messit dhe “Adidasit” – dhe sa pranë ishim që të shihnim si Messin ashtu edhe Ronaldon si ambasadorë të “Nike”.
Lionel Messi është, pa dyshim, një nga futbollistët më të famshëm në botë dhe një nga figurat publike më të njohura në planet.
Gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme 20-vjeçare, argjentinasi është bërë sinonim i shumë gjërave: Argjentinës së tij, klubit të fëmijërisë FC Barcelona dhe, natyrisht, tre vijave ikonike të “Adidasit”.
Messi u bë atlet i “Adidasit” në vitin 2006 dhe që atëherë është shndërruar në sportistin më të tregtueshëm, më fitimprurës dhe më të suksesshëm të markës – aq sa “Adidas” i ofroi një kontratë të përjetshme me vlerë mbi 1 miliard dollarë. Messi është “Adidas” dhe “Adidas” është Messi.
Por, po sikur t’ju thoshim se Messi dikur luante, shënonte gola dhe mahniste botën duke veshur një markë tjetër?
Rezulton se në fillimet e karrierës së tij, Messi ishte atlet i “Nike” dhe, po të mos kishte marrë “Nike” një vendim të gabuar duke neglizhuar familjen e tij, ai mund të kishte veshur edhe sot logon “swoosh” në vend të tre vijave.
Kur Lionel Messi bëri debutimin e tij profesional me Barcelonën në vitin 2004, numri 30 me flokë të gjatë hyri nga stoli kundër Espanyolit për të zëvendësuar legjendën e klubit, Deco, duke nisur një nga karrierat më të mëdha në historinë e sportit.
Këpucët që mbante produkti i “La Masias”? Një palë “Nike Mercurial Vapor” ngjyrë argjendi, të njëjtat këpucë që mbante Cristiano Ronaldo në atë kohë.
Po, e lexuat saktë. Në një moment, “Nike” kishte si Messin ashtu edhe Ronaldon si atletë të saj.
Atëherë, si e la “Nike” të ikte një nga talentët më premtues në botë drejt rivalit të përjetshëm, “Adidasit”?
Sipas personave të përfshirë në marrëveshje, gjithçka nisi “për disa qindra dollarë veshje sportive”.
Messi ishte atlet i “Nike” gjatë periudhës kur djali i vogël nga Rosario po ngjitej në rangjet e akademisë në Kataloni dhe po arrinte ekipin e parë në moshën 18-vjeçare.
Ai shihej qartë si trashëgimtari i fronit në “Camp Nou”.
Pas shpërthimit të tij në Europë, Messi tërhoqi vëmendjen e markave të mëdha që donin ta sponsorizonin adoleshentin, duke ofruar shuma të mëdha parash për ta pasur si përfaqësues.
Në përgatitjet për Kupën e Botës 2006, thuhet se “Nike” organizoi një set fotografik ku Messi ishte një nga fytyrat kryesore të fushatës.
Por vetëm disa muaj para turneut, burime nga brenda fushatës pretendojnë se morën një telefonatë ku u kërkua që fotot të hiqeshin.
“Nike” u informua shkurt se Messi kishte vendosur të firmoste me “Adidas”, pavarësisht se kishte përdorur këpucë dhe pajisje “Nike” që nga mosha 14-vjeçare.
Arsyeja? Së pari, në vitin 2005 “Adidas” i ofroi Messit një kontratë prej 748 mijë paundësh (rreth 1 milion dollarë) në vit për ta “rrëmbyer” nga “Nike”. Megjithatë, oferta e “Nike” nuk ishte shumë larg kësaj shume.
Ajo që bëri diferencën ishte një neglizhencë e thjeshtë nga ana e “Nike” ndaj familjes Messi, që besohet se prishi marrëdhëniet – konkretisht, dështimi i markës për t’iu përgjigjur mesazheve të babait të tij, Jorge Messi.
Sipas librit “Messi vs. Ronaldo: One Rivalry, Two GOATs, and the Era That Remade the World’s Game” nga Jonathan Clegg dhe Joshua Robinson, një nga arsyet pse Messi u largua nga “Nike” ishte fakti që kompania nuk iu përgjigj kërkesës së babait të tij për t’u furnizuar me disa sete veshjesh sportive – një kërkesë që vlente vetëm disa qindra dollarë (dhe ndoshta shumë më pak në koston reale për “Nike”).
“Nike” nga Spanja dhe “Nike” nga Amerika Latine nuk iu përgjigjën kurrë Jorge Messit, gjë që shkaktoi pakënaqësi të madhe në familjen Messi-Cuccittini.
Po, “Nike” e humbi Messin për diçka që vlente sa një blerje veshjesh për shkollë.
Kjo shpërfillje shënoi fillimin e prishjes së marrëdhënieve dhe ndihmoi negociatat mes kampit të Messit dhe “Adidasit” për ta çuar argjentinasin te “tre vijat” në shkurt të vitit 2006.
Pasi mori vesh për marrëveshjen Messi – “Adidas”, “Nike” u përpoq ta ndalonte transferimin, duke e akuzuar për “shkelje kontrate” dhe madje e çoi Messin në gjykatë.
Për habinë e “Nike”, gjykata konstatoi se Messi nuk kishte shkelur asnjë marrëveshje, sepse në fakt nuk ekzistonte një kontratë e tillë.
Dokumenti që “Nike” paraqiti ishte vetëm një “letër angazhimi” për të veshur këpucët e tyre, e cila nuk kishte asnjë vlerë ligjore.
Si rezultat, gjykata spanjolle vendosi në favor të Messit dhe ylli i ardhshëm i Barcelonës filloi rrugëtimin e tij legjendar me markën gjermane.
Vite më vonë, Lionel Messi është futbollisti më i suksesshëm në historinë e lojës: tetë here fitues i Topit të Artë, disa Këpucë të Arta europiane, golashënuesi më i mirë i Argjentinës dhe i Barcelonës, kampion bote dhe i vetmi atlet i “Adidasit” me kontratë të përjetshme – ndoshta marrëveshja më e madhe e sponsorizimit në historinë e sportit.