Mo Salah ka shkaktuar tronditje në Angli pas një deklarate të gjatë dhe të ashpër kundër trajnerit Arne Slot dhe klubit të Liverpool-it, pasi u la sërish në stol në barazimin 3-3 ndaj Leeds United. Ylli egjiptian nuk u aktivizua fare për të tretën ndeshje radhazi dhe nuk e fshehu zhgënjimin e tij.
“Nuk mund ta besoja që isha në stol 90 minuta. Është hera e parë në karrierë. Ndihem sikur klubi më ka hedhur nën autobus,” tha Salah, duke shtuar se marrëdhënia e tij me Slot “nuk ekziston më”.
Ai po ashtu la të kuptohet se mund të largohet në janar:
“I kam thirrur prindërit të vijnë në ndeshjen ndaj Brighton-it, që të përshëndetem me tifozët para Kupës së Kombeve të Afrikës. Nuk e di çfarë do të ndodhë më pas.”
Salah u shpreh se klubi nuk i ka mbajtur premtimet e verës dhe se ai nuk e meriton trajtimin që po merr:
“Kam dhënë shumë për këtë klub. Nuk jam problem, kam fituar “Këpucën e Artë” dhe kam merita të fituara në fushë. Por këtu duket se dikush nuk më do më.”
Lidhur me interesimin nga Arabia Saudite, ai refuzoi të përgjigjej, duke thënë vetëm se çdo deklaratë e tij “merr drejtim tjetër nga klubi”.
Deklarata e Salahut vë seriozisht në dyshim të ardhmen e tij në Anfield dhe paralajmëron një ndër ndarjet më të bujshme të viteve të fundit në Premier League.