Emery po shkruan historinë, Aston Villa sensacioni i Premier League





Aston Villa po përjeton një transformim spektakolar këtë sezon, dhe emri kryesor pas kësaj historie suksesi është vetëm një: Unai Emery.

Vetëm pas pesë javësh kampionat, skuadra nga Birmingham-i gjendej në vendin e 18-të, në zonën e rënies, me vetëm 3 pikë nga 5 ndeshjet e para.

Askush nuk mund ta parashikonte se çfarë do të ndodhte më pas.

Pavarësisht një vere të qetë në merkato, ku Villa shpenzoi vetëm 30 milionë euro dhe humbi emra të rëndësishëm si Jacob Ramsey, Marcus Rashford dhe Marco Asensio, Unai Emery ndërtoi një skuadër të disiplinuar, agresive dhe jashtëzakonisht efikasem.

Rezultatet nuk vonuan: Aston Villa arriti fitore të mëdha kundër Manchester City dhe Arsenalit, duke treguar se tashmë është një pretendente serioze për zonën e Champions League.

Sot, pas një rikthimi të jashtëzakonshëm, Aston Villa ndodhet në TOP 3 të Premier League me 30 pikë, vetëm 3 pikë larg liderit Arsenal.

Një arritje e jashtëzakonshme për një skuadër që shikohej si e rrezikuar në fillim të sezonit.

Unai Emery vazhdon të dëshmojë se është një nga trajnerët më të vlerësuar në Europë – një strateg i qetë, i mençur dhe me vizion të qartë. Në Birmingham, ai po shkruan një nga historitë më të bukura të këtij sezoni në futbollin anglez.