Milani transferon një mbrojtës të majtë, Igli Tare synon edhe tri përforcime tjera në janar

Mbrojtësi i majtë kolumbian, Juan Arizala, 20 vjeç, është gati të bashkohet me Milanin në një marrëveshje prej 3 milionë eurosh, por kuqezinjtë do të kërkojnë tre nënshkrime të reja në afatin kalimtar të janarit.

Gazeta Tuttosport raporton përditësimet më të fundit mbi transferimet e Milanit, duke thënë se drejtori i Rossonerëve, Igli Tare, tashmë është duke kërkuar një qendërmbrojtës, një mbrojtës të krahut të djathtë dhe një sulmues për afatin dimëror.

Rossonerët janë liderët e tabelës në Serie A, me 28 pikë, po aq sa Napolit, por trajneri Massimiliano Allegri thuhet se ende ka nevojë për më shumë thellësi në disa zona për të ngritur ekipin dhe të jetë një sfidues i vërtetë për Scudetto.

Sipas Tuttosport, Rossonerët duan të nënshkruajnë një qendërmbrojtës rezervë dhe një mbrojtës të krahut të djathtë, por edhe një sulmues qendre i cili potencialisht mund të bëhet titullar.

E ardhmja e Santiago Gimenez mbetet e pasigurt, edhe nëse agjenti i tij e ka përjashtuar tashmë një largim të mundshëm në janar.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, Tuttosport konfirmon se Milani ka përfunduar nënshkrimin e mbrojtësit të majtë kolumbian 20-vjeçar Juan David Arizala për rreth 3 milionë euro.

Mbrojtësi premtues do të zbarkojë në Itali pas finales së Kupës së Kolumbisë, ku do të jetë i përfshirë me klubin e tij Independiente Medellin.