Ndarja e bursave nga presidentja Davkova/ Nga gjithsej 35 aplikime për bursat studentore, asnjë student shqiptar nuk ka aplikuar





Në listën e njëzet fituesve të bursës studentore “Boris Trajkovski”, të ndarë nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, nuk kishte asnjë student shqiptar. Megjithatë, të dhënat tregojnë se arsyeja nuk lidhet me përjashtim apo selektim, por me faktin se në konkursin e këtij viti nuk ka aplikuar asnjë student shqiptar.

Nga gjithsej 35 aplikime të pranuara, asnjë nuk ka qenë nga komuniteti shqiptar, gjë që automatikisht ka bërë të pamundur përfaqësimin e tyre në listën përfundimtare. Edhe pse në shumë raste shqiptarët kanë ngritur shqetësime se nuk trajtohen si duhet dhe se vazhdon të mbizotërojë perceptimi se studentët shqiptarë shpesh përjashtohen edhe kur e meritojnë, në këtë rast situata është krejt tjetër. Këtu problemi nuk qëndron tek kriteret apo procesi, por tek fakti se studentët shqiptarë thjesht nuk kanë aplikuar.

Kjo çon drejt një dileme tjetër: pse të rinjtë shqiptarë nuk po marrin pjesë në konkurse të tilla? A mungon informacioni, motivimi apo interesi për programe të caktuara akademike? Në çdo rast, pa aplikime nuk mund të ketë fitues dhe kjo mbetet një çështje që kërkon më shumë vëmendje dhe ndërgjegjësim.