Shtrenjtime marramendësde – Një vezë mbi 12 denarë!

Çmimi i vezëve është rritur në mënyrë të shpejtë. Në markete, një vezë kushton mbi 12 denarë, ndërsa në tregje mund të gjendet vetëm një denarë më lirë kursim që vështirë se i ndihmon qytetarët.

Ndërkohë, vezët e fshatit që shiten në treg, janë bërë thuajse luks. Çmimi i tyre shkon nga 18 deri në 25 denarë dhe sipas shitësve është gjithnjë e më e vështirë të gjenden në shitje pasi blerja e vezëve të fshatit bëhet me parapagesë.

“Sa kushtojnë? Varet, këto janë nga 20 dhe 25 denarë. Pra veç më janë shtrenjtuar vezët? Po janë shtrenjtuar pasi gruri është 22 denarë për një kilogram, pra çmimi i vezëve të fshatit shkon nga 20 deri në 25 denarë. Varet por çmimi më i lirë është 18 apo 20 denarë dhe më nuk ka, jo nuk ka”, tha një shitës.

Çmimi i vezëve në treg sot ishte një denarë më lirë se në markete, por përsëri për një karton vezësh me 30 copë, çmimi fillonte nga 320 deri në 350 denarë. Qytetarët thonë se çmimet janë të pa përballueshme ndërsa kërkojnë kontrolle më të rrepta nga institucionet kur behet fjalë për çmimeve

“Si u duken çmimet që janë 350 denarë? Shtrenjtë janë por çfarë të bëjmë, ai punon që të fitoje e ne duhet të blejmë dhe të hamë, kjo është”, u shpreh një qytetar.

“Çmimet janë të larta dhe pagat janë të ulëta. Për dikë që nuk punon e jeton me tetë mijë denarë, çfarë të bëje me aq, as për bukë nuk mjaftojnë”, tha një qytetar tjetër.

“Më parë ishin 280 denarë por tani janë 320, shtrenjtë janë por çfarë të bëjmë”, theksoi një qytetar.

“Çfarë është kjo, jo vetëm vezët por edhe produktet tjera, katastrofë”, tha një qytetar.

Sa i përket rritjes së çmimit të vezëve, nga Ministria e Ekonomisë thonë se çmimi i tyre varet kryesisht nga produktet e tregut global të aksioneve, siç është soja që përdoret për prodhimin e ushqimit për pula, gjë që e bën çmimin të jetë i varur nga luhatjet në treg.

“Çmimi i vezëve varet kryesisht nga produktet e tregut global të aksioneve, siç është soja që përdoret për prodhimin e ushqimit për pula, gjë që e bën çmimin të jetë i varur nga luhatjet në treg. Megjithatë, institucionet mbeten të përkushtuara për të kontrolluar dhe monitoruar çmimet dhe për të mbrojtur interesat e konsumatorëve”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Nga Ministria e Ekonomisë shtojnë se çmimet monitorohen vazhdimisht përmes Inspektoratit të Tregut dhe se reagojnë në mënyrë aktive sa herë që është e nevojshme. Ndërkohë, deri sa të ketë ulje të çmimit, qytetarët do të detyrohen që vezët t’i konsiderojnë si ushqim luksi./ Alsat.