Universiteti “Nënë Tereza” Shkup: Nuk është ndaluar projekti për kampusin, fondet do të alokohen në disa faza
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka reaguar në lidhje me njoftimet që qarkullojnë në disa media, lidhur me kampusin e këtij universiteti.
“Dëshirojmë të informojmë opinionin publik lidhur me lajmet e pavërteta që po qarkullojnë për “zhdukjen” e projektit të Kampusit Universitar të UNT-së. Sqarojmë se projekti nuk është anuluar, nuk është ndërprerë dhe se kemi marrë konfirmim zyrtar se fondet do të alokohen në disa faza, në përputhje me dinamikën e realizimit dhe me ndarjet buxhetore vjetore.
Kampusi është një projekt shumë me rëndësi për UNT, madhor dhe shumëvjeçar për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, i cili, si çdo investim kapital i rëndësishëm, realizohet me faza të mirëstrukturuara. Buxheti vjetor mbulon vetëm fazën e punimeve që zhvillohet gjatë atij viti dhe jo shumën e përgjithshme të parashikuar deri në përfundimin e projektit”, thuhet në reagim.
Nga atje kërkojnë nga opinioni publik dhe të gjithë arsimdashësit që të mos bien pre e keqinformimeve dhe të mos dëmtojnë reputacionin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, por ta mbështesin dhe ta mbrojnë institucionin tonë sipas mundësive të tyre.