Adem Çuçulin propozohet për kryetar të Antikorrupsionit





Juristi Adem Çuçul është propozuar nga Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve në Kuvend si kandidat për kryetar të ri të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Sipas Komisionit për seleksionimin e kandidatëve, Çuçul ka marrë vlerësimin më të lartë me 96.5 pikë. Ai aktualisht është sekretar i përgjithshëm i KSHPK-së dhe punon në këtë institucion prej 19 vitesh.

Adem Çuçul

Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve vendosi njëzëri që Kuvendit t’i propozohet emërimi i Çuçul si kryetar. Sipas informacioneve nga Kuvendi, seanca plenare ku do të votohet ky propozim pritet të mbahet në fillim të dhjetorit.

Komisioni për seleksionimin e kandidatëve vlerësoi se Çuçul ka përvojë të konsiderueshme në parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, si dhe ka një vizion të qartë dhe një plan konkret për funksionimin dhe zhvillimin e KSHPK-së.

Thirrja për aplikim për kryetar të KSHPK-së ishte publikuar gjatë verës, por procedura ishte pezulluar përkohësisht për shkak të zgjedhjeve lokale.

Nga 13 kandidatët që aplikuan, 10 u seleksionuan për intervista, të cilat nisën të martën.

Në rast se votohet nga Kuvendi, Adem Çuçul pritet të marrë drejtimin e KSHPK-së në vend të Tatjana Dimitrovska, e cila dha dorëheqje pasi u akuzua në rastin “Aditiv”, për shpërdorim të sekretit zyrtar dhe falsifikim kompjuterik.

Sipas aktakuzës, ajo i kishte dhënë informacion të mbrojtur me ligj të akuzuarit në këtë rast.