Pse në propozim-buxhetin për vitin 2026 mungojnë 34 milionë euro për UNT-në?

Me javë të tëra opinioni publik është bombarduar me deklarata triumfale se “janë ndarë 34 milionë euro për ndërtimin e kampusit të ri universitar Nënë Tereza”. Qeveritarë që dolën para kamerave, konferenca të improvizuara, madje edhe grafikë në rrjete sociale të gjitha me të njëjtin mesazh investimi i shumëpritur për UNT-në më në fund po bëhet realitet. Mirëpo, realiteti financiar që del nga dokumentet zyrtare e rrëzon tërësisht këtë narrativë, shkruan Zhurnal.

Ku janë 34 milionë euro për UNT-në?

Kur propozim-buxheti për vitin 2026 mbërriti në Kuvend, askund në asnjë program, në asnjë nen, në asnjë listë projektesh kapitale nuk gjendet shifra 34 milionë euro për kampusin universitar të UNT-së.

Këtë e konfirmon qartë edhe ekonomisti Abil Baush, i cili në një intervistë për Alsat deklaroi:

“Në propozim-buxhetin për vitin 2026 askund nuk figurojnë 34 milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar Nënë Tereza.”

Ky konstatim i drejtpërdrejtë hedh poshtë gjithë retorikën politike e cilla u përdor edhe në fushatë dhe e kthen debatin tek pyetja thelbësore, ku janë 34 milionë euro të premtuara?

Premtime pa mbulesë buxhetore –

Në politikën publike ka një rregull bazë premtimi vlen vetëm aq sa mbështetja e tij financiare në buxhet. Nëse një projekt nuk figuron në strukturën buxhetore, ai nuk ekziston pavarësisht konferencave, postimeve, apo retorikës optimiste. Një kampus universitar nuk mund të ndërtohet me deklarata kërkon plan, tenderë, afate, fonde dhe përgjegjësi.

Mungesa e 34 milionëve tregon dy mundësi. Premtimi ka qenë politik, jo real financiar, pra është thënë për konsum publik. Projekti nuk është gati, as në aspektin teknik e as në atë financiar, prandaj nuk është përfshirë. Në të dy rastet, humbësi është i njëjti komuniteti akademik shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe studentët aktual e ata potencial në UNT.

Kur do të ndërtohet kampusi universitar?

Kjo përgjigje më së shumti u intereson studentëve të UNT-së vazhdojnë të jenë të shpërndarë nëpër hapësira të përkohshme, fakultetet funksionojnë në kushte të kufizuara, dhe objektet moderne universitare mbeten premtim i radhës. Ky vakum institucional dhe financiar është dëshmi e standardit të diskutueshëm me të cilin trajtohet arsimi i lartë shqip në vend.

Në këtë drejtim asgjë të keqe nuk ka me dhënë premtime, por edhe më mirë është me realizu për të dëshmuar seriozitet dhe përgjegjësi ndaj fjalës publike.

Prej vitesh qytetarët dëgjojnë premtime të mëdha për investime në arsim, por koha ka treguar se shumë prej tyre kanë qenë vetëm mjegull politike. Projekti i kampusit “Nënë Tereza” është tepër i rëndësishëm për t’u reduktuar në premtim fushate. Ai nuk është luks është nevojë strategjike për rritjen e cilësisë së arsimit universitar në gjuhën shqipe.

Ajo që pritet nga qeveria nuk është edhe një premtim i radhës, por një plan real, i detajuar, me buxhet të siguruar dhe me afate konkrete të punimeve. Pa këto elemente, 34 milionë euro mbeten vetëm një numër propagandues nëpër tituj lajmesh. /Zhurnal.mk