Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në përgjigjen e tij ndaj pyetjes parlamentare të deputetes së LSDM-së, Jovana Trençevska, lidhur me raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit dhe vërejtjet për reformat në Kodin Penal, Ligjin për Procedurë Civile dhe sistemin AKMIS, tha se Ministria e Drejtësisë në 18 muajt e fundit ka dërguar në procedurë qeveritare një numër të madh ligjesh që janë pjesë e Agjendës Reformuese—diçka që, sipas tij, nuk ka ndodhur vite me radhë.
Filkov iu përgjigj drejtpërdrejt kritikes së Trençevskës:
“Nëse kujtohem mirë, ju ishit ministre në atë Qeveri që miratoi ndryshimet e dëmshme në Kodin Penal. A nuk pati raporte atë vit? A reaguat ju atëherë? Nëse Ligji për Procedurë Civile ishte i mirë, ju do ta kishit sjellë vetë. Duhej plotësuar dhe tash është sërish në procedurë qeveritare.”
Ministri theksoi se të gjitha ligjet janë punuar përmes një procesi publik dhe transparent.
Tri ligjet kryesore – miratim pozitiv nga Komisioni i Venecias
“Sikurse e dini, tre ligjet kryesore – Ligji për Këshillin Gjyqësor, Ligji për Prokurorinë Publike dhe Ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë – kanë marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venecias”, theksoi Filkov, duke shtuar:
“Ligjet nuk janë punuar në Dubai, as në jaht në Halkidiki. Nuk do të miratojmë më ligje në interes të individëve dhe familjeve. Për Kodin Penal mos u shqetësoni, ai do të miratohet dhe pres edhe mbështetjen tuaj.”
Kriza e kuadrit në gjyqësor dhe prokurori – 154 gjyqtarë në pension
Filkov komentoi edhe pretendimet për mungesë të kuadrit në gjyqësor dhe prokurori. Sipas tij, në pesë vitet e fundit në pension kanë dalë:
154 gjyqtarë, ndërsa aktivë janë vetëm 294 nga 456 pozita të sistematizuara.
– “Në vitin 2020 dolën 7 gjyqtarë në pension, në 2021 – 8, në 2022 – 64, në 2023 – 43, në 2024 – 25 dhe në 2025 – 7”, sqaroi ministri.
53 prokurorë publikë janë pensionuar në të njëjtën periudhë.
Filkov, me ton kritik ndaj opozitës, pyeti:
“Kur flisni për gjyqësorin, mendoni për këtë gjyqësor që ju e pensionuat në këto vite kur ishit në pushtet? Ishin këto shifra të qëlluara apo rastësi?”
AKMIS – dy kontrolle në çdo gjykatë brenda 18 muajve
Në lidhje me AKMIS-in (sistemi për shpërndarjen automatike të lëndëve), Filkov theksoi:
“Ministria e Drejtësisë në 18 muajt e fundit ka kryer nga dy kontrolle në secilën gjykatë në vend, gjë që nuk ka ndodhur vite më parë.”
Ministri Filkov përfundoi duke theksuar se reformat janë të pandalshme dhe se vendi duhet të sigurojë standarde evropiane në drejtësi.