“Do të mbetemi me diploma por pa punë”, Peshev: Priten ndryshime të mëdha në profilet e fuqisë punëtore në Maqedoni

“Bota në këtë moment duhet të përgatitet thellësisht për ndryshimet që po vijnë, ndërsa ne duhet të bëjmë përpjekjen maksimale për të mobilizuar të gjitha kapacitetet tona, gjithçka që mund ta përdorim për të pasur një përgjigje cilësore dhe më të lartë ndaj asaj që na pret në të ardhmen e afërt – një ndryshim i madh në profilin e fuqisë punëtore dhe një valë inovacionesh teknologjike”, deklaroi Antoni Peshev, drejtor ekzekutiv i Odës së Tregtisë së Maqedonisë së Veriut, gjatë konferencës së organizuar sot me temën “Ndërtimi i së ardhmes – aftësi praktike për gjeneratën e re”.

Sipas tij, në një situatë të tillë, e quajtur nga ai “cunami në pritje”, në Maqedoni do të jenë të nevojshme ndryshime shumë të mëdha në arsimin e lartë.

“Sa e dhimbshme apo jo e popullarizuara të duket, Maqedonisë i duhet cilësi, jo një fabrikë për prodhimin e diplomave. Këtë duhet ta kuptojmë. Nëse në arsimin e mesëm pas rreth njëzet vitesh reformash arritëm që 70 për qind e fëmijëve të regjistrohen në shkolla profesionale, ka ardhur koha që kjo të ndodhë edhe me universitetet. Përndryshe, do të mbetemi me diploma dhe pa punë. Ky duhet të jetë një sinjal për të gjithë ne se është koha për alarm. Shpresoj se edhe Qeveria e kupton këtë segment, sepse bëhet fjalë për një reformë që deri më tani nuk e kemi pasur”, theksoi Peshev.

Ai gjithashtu nënvizoi ndikimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale, e cila do të diktojë profesionet dhe profilin e fuqisë punëtore, duke shtuar se duhet të tregohet kujdes në përdorimin e saj.

“Inteligjencën artificiale e krahasojnë me zjarrin. Ai mund të jetë një shërbëtor i jashtëzakonshëm, por nëse nuk dimë ta përdorim dhe kontrollojmë, mund të bëhet një zot shumë i pakëndshëm. Shumica e mendimtarëve kryesorë botërorë në fushën e inteligjencës artificiale thonë se bota po ngec në përcaktimin e vendit të inteligjencës artificiale në proceset arsimore, në rishikimin e vendeve të punës dhe në gjithçka ku ajo mund të gjendet”, shtoi Peshev.