Tragjedi në Itali, përplasje e rëndë mes dy kamionëve: Humb jetën një 60 vjeçarë nga Tetova, dhe një i lënduar!
Një tragjedi ka ndodhur të premten në mëngjes në periferi të Ravenna-s. Rreth orës 11:20, pranë një guroreje në via Masullo në Fosso Ghiaia, dy kamionë që po udhëtonin në drejtime të kundërta u përplasën ballë për ballë. Përplasja mes dy mjeteve të rënda ka qenë shumë e fortë dhe njëri nga drejtuesit e kamionit ka humbur jetën. Bëhet fjalë për një 60-vjeçar me origjinë maqedonase, banues në Lugo. Ngjarja po hetohet nga Karabinierët.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një rrugë të ngushtë pranë zonës së banuar të Fosso Ghiaia, jo larg Mirabilandia-s dhe rezervuarit Standiana. Dinamika është ende e paqartë dhe po sqarohet nga Karabinierët e kompanisë Cervia–Milano Marittima, të cilët mbërritën në vendngjarje për hetimet e nevojshme. Sipas rindërtimit të parë të ngjarjes, dy kamionët po udhëtonin në drejtime të kundërta, njëri duke hyrë dhe tjetri duke dalë nga guroret, kur ka ndodhur përplasja e rëndë, përcjell TS
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë zjarrfikësit, karabinierët dhe shërbimi mjekësor i urgjencës 118 me ambulancë, auto-mjeku dhe helikopter. Një ekip i njësisë së zjarrfikësve të Cervia-s, i mbështetur nga një autovinç i ardhur nga komanda qendrore e Forlì-Cesena-s, ndërhyri për të nxjerrë një drejtues 43-vjeçar që kishte mbetur i bllokuar brenda kabinës. Burri iu dorëzua më pas stafit mjekësor të 118-s dhe u transportua me kod rreziku maksimal me helikopter në spitalin Bufalini të Cesena-s.
Për fat të keq, nuk kishte më asgjë për të bërë për drejtuesin tjetër të kamionit, një 60-vjeçar, i cili ndërroi jetë brenda kabinës së mjetit të tij. Tani do t’u takojë hetimeve të Karabinierëve të përcaktojnë rrethanat e tragjedisë. Për ngjarjen është informuar edhe Prokuroria e Ravenna-s./TS/
