Kur parullat bien poshtë: ‘Çairi foli’ apo ‘VLEN-i demaskoi veten’?

Hapja e Shtabit Zgjedhor të VLEN-it në Çair, që ishte menduar të jetë një shfaqje force politike dhe demonstrim i mbështetjes së gjerë, në fakt rezultoi në një paradë kontradiktash dhe autogolash politikë. Nga njëra anë, organizatorët tentuan të krijojnë një atmosferë festive e masive, por në përpjekje për të mbushur hapësirën e vogël të një oborri në një nga ndërtresat e Çairit, ata u detyruan të sjellin aktivistë nga cep në cep i Maqedonisë së Veriut. Në vend që kjo të jepte përshtypjen e një lëvizjeje të fuqishme lokale, në fakt u ekspozua një dobësi themelore: mungesa e mbështetjes së sinqertë dhe të madhe brenda vetë Çairit.

Shumë prej pjesëmarrësve shpërndanë në rrjete sociale postime nga Likova, Struga, Tetova e qytete të tjera, duke zbuluar pa vetëdije se turma ishte e importuar. Kjo e ktheu sloganin “Çairi foli” në një bllof të madh, pasi ata që folën nuk ishin çairas, por militantë të transportuar për të krijuar iluzionin e masës. Në këtë mënyrë, vetë VLEN-i e demaskoi veten duke shfaqur jo vetëm dobësitë organizative, por edhe mungesën e kredibilitetit për të bindur opinionin publik.

Fjalimet e liderëve e thelluan edhe më tej kontradiktën. Bekim Fazliu rikujtoi me stilin e tij retorik epokën e PDSH-së, kur sheshet mbusheshin me transport të organizuar, por zgjedhjet humbeshin. Adnan Azizi tentoi të japë një kuptim të ri emrit “Izet”, por doli kontradiktor dhe madje u ironizua nga fakti se në fjalorin shqip nuk ekziston një interpretim i tillë, përkundrazi ekziston vetëm fjala “lezet”. Zeqirja Ibrahimi bëri lapsusin e radhës duke futur fenë dhe të dërguarin e Zotit në një fjalim për një figurë që vetë e kishte quajtur dikur “kriminel, hajn, mashtrues”. Ky kthim i beftë dhe pa shpjegim e minon seriozisht kredibilitetin e tij. Ndërkohë, Bilall Kasami mbeti në vargjet e zakonshme të mësuara përmendësh, pa sjellë diçka të re, ndërsa Arben Fetai u paraqit si një figurë kontradiktore që shpesh ushqehet nga shpifje e gjysmë të vërteta.

Por autogoli më i madh erdhi nga vetë Izet Mexhiti. Ai foli për 20 vite keqqeverisje të BDI-së, duke harruar se vetë ka qenë pjesë kyçe e asaj periudhe, sidomos në Çair. Ky mesazh e dëmton rëndë, sepse publiku e di mirë rolin e tij dhe nuk mund të mashtrohet lehtë nga retorika. Në vend që të bindë për ndryshim, ai i rikujtoi votuesit të kaluarën e tij të gjatë në pushtet.

Moti stabil dhe pa reshje shiu nuk i ndihmoi aspak organizimit të VLEN-it. Në fakt, po të kishte rënë shi, çadrat e njerëzve do ta kishin mbuluar hapësirën e vogël dhe do ta bënin tubimin të dukej madhështor, me një panoramë masive që mungoi mbrëmë.

Në fund, hapja e shtabit nuk shërbeu për të ngritur moralin e strukturave, as për të tërhequr votuesit e pavendosur. Përkundrazi, u shndërrua në një shfaqje teatrale, ku në vend që të tregohej fuqi, u ekspozuan dobësi të thella strategjike dhe organizative. Çairasit e panë qartë se pas parullës “Çairi foli” fshihej një realitet tjetër: një grumbull militantësh të sjellë nga jashtë dhe një fjalor politik i vjetëruar, që nuk sjell frymë të re.

Ky aktivitet, që duhej të ishte kulm i entuziazmit për VLEN-in, përfundoi duke ofruar material ironik për kundërshtarët dhe zhgënjim për ata që prisnin diçka të re. Në vend të demonstrimit të vizionit, u dëshmua mungesa e tij.