Një sulm ajror izraelit ndaj departamentit të urgjencës në spitalin “Nasser” në jug të Gazës e ka lënë të vrarë fotoreporterin e njohur palestinez, Hassan Aslih, thanë burimet mjekësore dhe dëshmitarët.
Fotoreporteri Aslih, i cili ishte duke u trajtuar për shkak të lëndimeve që i kishte pësuar nga një sulm i mëparshëm izraelit, u vu në shënjestër të atij që dëshmitarët e përshkruan si sulm me dron ndaj pjesës kirurgjike të spitalit, raporton televizioni BBC.
Një mjek aty konfirmoi se fotoreporteri kishte qenë në spital për gati një muaj, pasi i kishte mbijetuar një sulmi ajror ndaj objektit të njëjtë në prill.
Ushtria izraelite më parë e kishte akuzuar Aslihun për përfshirje në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Në sulmin e prillit ishte vrarë kolegu i tij, Helmi al-Faqawi, dhe ishin plagosur disa gazetarë të tjerë.
Në atë kohë, Ismail al-Thawabta, drejtor i zyrës mediale qeveritare të menaxhuar nga Hamasi, kishte thënë se akuzat e Izraelit ndaj Aslikut ishin “të rreme”, duke shtuar se ai nuk kishte lidhje politike.
Aslihu kishte publikuar dhjetëra fotografi dhe video që e dokumentonin sulmin e Hamasit brenda territorit izraelit.
Me vite kishte punuar si fotoreporter i lirë me agjenci lokale e ndërkombëtare të lajmeve. Ishte gjerësisht i respektuar në Gaza për mbulimin e gjerë të luftës, shpesh duke dokumentuar ngjarje nga vija e frontit. Ka mbi gjysmë milioni ndjekës në rrjetin “Instagram”, ku e dokumentonte luftën.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë se e kishte sulmuar spitalin “Nasser” në atë që tha se ishte “sulm i shënjestruar ndaj terroristëve kyçë”, por nuk e përmendi me emër fotoreporterin Aslih./Nacionale